Maqedoni
OKB merr njoftimin për ndryshimin e emrit. Guterrez fton shtetet anëtare për mbështetje
14.02.2019 17:28
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka marrë njoftim zyrtar për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës...

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka marrë njoftim zyrtar për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, më 12 shkurt të këtij viti, e cila ndër të tjera paraqet marrëveshjen mes palëve për emrin "Republika e Maqedonisë së Veriut".
“Ai e mirëpret këtë zhvillim, i cili zgjidh mosmarrëveshjen e gjatë midis Athinës dhe Shkupit, dhe demonstron se edhe çështjet që duken të vështira mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe vullnetit politik.”- thuhet në deklaratën që i atribuohet zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm, Guterres.
Sekretari i përgjithshëm përgëzon të dy vendet dhe kryeministrat, Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev, për vendosmërinë e tyre në krijimin e një vizioni afatgjatë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe pajtimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Ai është thellësisht mirënjohës ndaj të dërguarit të tij personal, Metju Nimetz, për angazhimin dhe përkushtimin e tij të palëkundur në lehtësimin e negociatave.
Sekretari i përgjithshëm u bën thirrje shteteve anëtare, organizatave rajonale dhe të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesin hapat historikë që kanë marrë palët.
Një ditë më parë, zëdhënësi, Stéfan Dujarriç, tha se OKB është afër përfundimit të procedurave administrative për të zbatuar krejtësisht Marrëveshjen e Prespës.
SHPËTIM NUREDINI
