Maqedoni

Rasti tragjik, ngushëllime të shumta nga vendi dhe jashtë

14.02.2019 17:41

Pas aksidentit tragjik, nuk kanë munguar edhe ngushëllimet nga vendi dhe jashtë...

“Ndajmë dhimbjen me familjarët e viktimave. Lutjet tona janë me të lënduarit, me dëshirë që të kthehen sa më shpejt pranë të afërmve të tyre”,- është mesazhi ngushëllues i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
 
“Ndajmë dhimbjen me familjarët, do të jemi pranë tyre si dhe të lënduarve duke vijuar me mobilizimin maksimal të zjarrfikësve, policëve dhe mjekëve për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve”,- shkruhet në ngushëllimin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. “Dhimbje e madhe, vështirë të gjesh fjalët. Ngushëllime familjeve”,- shkruan kreu i ASh-së, Zijadin Sela. 
 
Ngushëllime kanë ardhur edhe nga shumë institucione si dhe nga përfaqësitë diplomatike në vend.
 
Ambasada amerikane ka ulur flamurin në gjysmështizë, njësoj si të gjitha institucionet e tjera në vend. Ambasadat e tjera kanë dërguar mesazhe ngushëllimi. Ngushëllime erdhën edhe nga jashtë vendit.
 
“Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave dhe të lënduarve”,- shkruan në twiter eurokomisari Han. 
 
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka ngushëlluar familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Maqedoni.
 
“Në këto momente të vështira jam shpirtërisht pranë familjeve të lënduara nga kjo tragjedi, të afërmve e miqve të viktimave dhe pranë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të prekur prej saj.”,-shkruan presidenti shqiptar, Ilir Meta. Mesazhe erdhën edhe nga kryeministri dhe opozita në Shqipëri. 
 
Edhe krerët e Kosovës kanë ngushëlluar familjet e viktimave.
 
“Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave të aksidentit në autostradën Shkup - Tetovë, të lënduarve iu uroj shërim sa më të shpejtë”,- ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Facebook. Familjet e viktimave i kanë ngushëlluar edhe Haradinaj dhe Veseli. 
 
Keqardhje të thellë për aksidentin tragjik ka shprehur edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.
 
“Në mendjet tona janë familjet e viktimave dhe të afërmit e tyre. Shprehim ngushëllime dhe solidaritet të sinqertë me qytetarët dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut”,- shkruan MPJ-ja greke në profilin e saj zyrtar në Twiter. 
 
Edhe presidenti turk, Erdogan, ka dërguar ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
 
NAIM RAMADANI