Maqedoni

Përfundon hetimi në vendin e ngjarjes, Prokuroria: shoferi i autobusit nuk ishte i dehur

14.02.2019 18:06

Prokurori publik së bashku me ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë përfunduar ekspertizën në vendin e aksidentit tragjik...

Prokuroria Themelore njofton se në mënyrë intensive po punohet në zbardhjen e detajeve të cilat do t’i zbulojnë shkaqet e fatkeqësisë. Analizat mjekësore kanë treguar se shoferi i autobusit nuk ka qenë i dehur në momentin e fatkeqësisë.
 
“Menjëherë pas aksidentit, prokurori publik realizoi një bisedë me të dhe gjatë kësaj bisede shoferi nuk ka dhënë detaje relevante për ngjarjen. Prokurori publik gojarisht është njoftuar se analizat e gjakut dhe të urinës flasin se në momentin e aksidentit, tek vozitësi nuk është regjistruar prezenca e alkoolit, barnave apo substancave psihotrope. Më kërkesën e tabulateve nga operatorët mobilë do të vërtetohet nëse vozitësi në momentin e aksidentit ka shfrytëzuar telefonin celular”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike - Shkup. 
 
Autobusi i Kompanisë "Durmo Turs" do të ekzaminohet hollësisht nga ekspertët e Fakultetit të Makinerisë në Shkup, që po kontrollon nëse mjeti i udhëtimit ka qenë në gjendje të rregullt.
 
"Nga njohuritë e deritanishme mësohet se autobusi është siguruar në vitin 2001, ndërsa për herë të fundit është regjistruar në janar të këtij viti. Me urdhër të prokurorit publik, Fakulteti i Makinerisë në Shkup do të përgatisë një mendim dhe raport ekspert me shkrim".
 
Nga Prokuroria Themelore do të kërkojnë dokumentacionin e plotë nga Kompania "Durmo-turs" lidhur me lejet për transport publik të cilat i posedon, mirëmbajtjen e automjeteve, numrin e udhëtarëve, numrin e biletave të shitura në autobusin e aksidentuar, si dhe të dhëna për orarin e punës dhe relacionet të cilat i ka kaluar vozitësi i autobusit ditën kritike.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI