Maqedoni

Maqedonia në zi kombëtare, rritet në 15 numri i viktimave nga aksidenti tragjik. “Klinika Nënë Tereza” në Shkup, trajtohen 10 të lënduar në aksidentin tragjik

14.02.2019 18:15

Ka mbërritur në 15 numri i viktimave nga aksidenti tragjik. Maqedonia është në ditën e parë të zisë kombëtare që do të zgjasë edhe të premten...

Flamujt e të gjitha institucioneve janë ulur në gjysmështizë. Teksa familjet e viktimave kanë filluar ceremonitë mortore, lutjet e të gjithëve tanimë janë drejtuar tek të lënduarit disa prej të cilëve ende janë në gjendje të rëndë.
 
Pas aksidentit të djeshëm në magjistralen Shkup - Tetovë, dhjetë pacientë janë shtrirë në Spitalin Klinik në Shkup, ku janë kryer intervenime kirurgjike ndaj katër pacientëve, të cilët sipas mjekëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
 
“Në klinikë gjenden dhjetë të lënduar dy prej të cilëve janë në gjendje serioze dhe janë të hospitalizuar në qendrën e mjekimit intensiv, gjendja e tyre është kritike dhe janë në aparat për ventilim mekanik. Ne mendoj se u përgjigjëm mirë në situatën e mbrëmshme duke i marrë  rastet më të vështira që kryesisht kërkojnë qasje multi disiplinore, ndërsa lejuam që rastet më të lehta të riazhornohen dhe dërgohen në spitalet përreth”,- theksoi shefi i Urgjencës në Klinikën “Nënë Tereza” – Shkup, Albert Lleshi.
 
“Janë operuar tre pacientë në qendrën klinike, ata janë në trajtim intensiv dhe pas intervenimit kirurgjik ndodhen në gjendje kritike shëndetësore”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se bëhet fjalë për pacientë të moshës së re me një mesatare prej 30 deri në 35 vjeç.
 
Marrë parasysh problemet serioze shëndetësore, nuk mund të parashikohet kohëzgjatja e mjekimit të këtyre pacientëve.
 
GYLTENE SINANI