Maqedoni
Maqedonia në zi kombëtare, rritet në 15 numri i viktimave nga aksidenti tragjik
14.02.2019 18:28
Ka mbërritur në 15 numri i viktimave nga aksidenti tragjik i së mërkurës...

Maqedonia është në ditën e parë të zisë kombëtare që do të zgjasë edhe të premten. Flamujt e të gjitha institucioneve janë ulur në gjysmë shtizë.
Teksa familjet e viktimave kanë filluar ceremonitë mortore, lutjet e të gjithëve tanimë janë drejtuar tek të lënduarit.
Nga 37 personat e hospitalizuar në Spitalin “8 shtatori”, gjashtë kanë ndërruan jetë, një pacient është lëshuar për kurim shtëpiak dhe një është dërguar në klinikën torakale për mjekim të mëtutjeshëm.
Tre pacientë që janë në gjendje të rëndë, një paciente është operuar dhe është në gjendje stabile. Edhe shoferi i autobusit, për shkak të lëndimeve të lehta, është lëshuar në kurim shtëpiak.
“Një paciente në orët e hershme të mëngjesit ka ardhur deri tek anemia e pacientit, gjegjësisht humbja e gjakut dhe rënies së shtypjes së gjakut dhe pas investigimeve të nevojshme është bërë trajtim operativ nga ana e kirurgëve abdominalë, është kryer intervenim operativ dhe është gjetur lëndim në organet me inde të buta, pra lëndim i shpretkës, e cila i është hequr. Pacientja tani është në kujdes intensiv dhe është në gjendje stabile”,- deklaroi drejtori i Spitalit “8 shtatori”, Hristijan Kostov.
Mobilizimi i ekipit mjekësor në këtë spital është bërë për kohë shumë të shpejtë, sepse nevojitej intervenim urgjent për secilin pacient të pranuar.
“Organizimi ka qenë shumë i shpejtë nga ana e ekipit mjekësor, duke filluar nga anasteziologët, traumatologët, kirurgët, rengenologët, drejtoria e spitalit, Ministria e Shëndetësisë”,- theksoi mjeku, Ridvan Bajrami.
Pacientët e hospitalizuar në Klinikën “8 shtatori” u vizituan nga kryeministri Zaev dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Presidenti Ivanov, ndërkohë ka vizituar disa nga familjet e viktimave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
