Maqedoni

Ekspertët mbledhin provat në vendngjarje, banorët e Llaskarcës rrëfejnë momentet e aksidentit

14.02.2019 18:43

Pas ngjarjes së rëndë në autostradën Shkup – Tetovë, pritet që ekspertizat ligjore në vendin e ngjarjes të zbardhin shkaqet e aksidentit...

Policia dhe ekspertët e krim teknikës, gjatë gjithë ditës kanë mbledhur edhe faktet edhe më të vogla në terren, që do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit tragjik.
 
Hetuesit kanë vërtetuar shenjat e tentimit të frenimit dhe autobusi është larguar nga vendi i aksidentit. Për të vërtetuar se çfarë në të vërtetë ndodhi pasditen e së enjtes, fjalën e fundit do ta thonë organet përgjegjëse. 
 
Banorët e fshatit Llaskarcë kanë qenë ata të cilët kanë intervenuar menjëherë pasi është rrokullisur autobusi. Skenat të cilat i tregojnë banorët e fshatit Llaskarcë janë të hidhura dhe të dhimbshme, tregojnë për lëndime të rënda trupore, të cilat i kanë pasur disa nga personat që kanë qenë të shtrirë aty.
 
Ata  ende nuk e kanë marrë veten nga pamjet e hidhura me të cilat u përballën kur vrapuan të parët t’i dalin në ndihmë pasagjerëve të autobusit të përmbysur.  
 
“I kemi parë tre apo katër persona të cilët kërkonin ndihmë dhe qanin. Dhe kur kemi dalë nga ana tjetër, i pamë se ishin të zënë nga mesi i trupit, njëri ishte i zënë më autobusin në këmbë, tjetri në kokë. I vendosa dorezat për ta tërheq njërin, por e pashë se krahu i kishte mbetur i zënë, nuk kishim mundësi ta ngremë lart autobusin për shkak se ishte shumë peshë e rëndë, ndërsa brenda kishte mbi 50 persona, ku një pjesë e tyre i kemi dërguar me automjete private. Një rast i rëndë ka ndodhur me një vajzë të re, kur pasi që vinçi tërhoqi një pjesë lart, ajo ndërroi jetë. Të gjithë kanë qenë të rinj, vajza dhe të djem të rinj”,- theksoi një banor. 
 
“Jemi mobilizuar me automjete private dhe kemi nxjerrë prej autobusit 20 deri në 25 persona dhe i kemi dërguar në spital. Me mjete tona kemi bërë prerjen e ulëseve, për t’i nxjerrë të lënduarit. Nuk dihej se kujt duhet t’i ndihmosh më shpejt, sepse secili kërkonte ndihmë, sepse për ta ndihmuar njërin na është dashtë dy të tjerë t’i largojmë. Pastaj ishte rrezik, sepse vinte era karburant dhe kishim frikë mos po ndizet”,- theksoi një banor.
 
“Me sytë e mi e kam parë se si një pjesë të trupit e kishin nën autobus, ndërsa pjesën tjetër jashtë, duke kërkuar ndihmë. Unë kamë hyrë brenda dhe së bashku me disa shokë i kemi nxjerrë disa prej tyre. Disa ishin të gjallë, ndërsa disa shumë rëndë të lënduar. Një djalosh i cili trupin e kishte të zënë, thirri dikë në tel dhe kërkonte ndihmë”,- u shpreh një banor.
 
Autobusi i kompanisë “Durmo Tours” ishte blerë në vitin 2001, ndërsa për herë të fundit kishte qenë i regjistruar në vitin 2019.
 
Këto elemente ndoshta janë të rëndësishme për procedurat ligjore deri në zbardhjen e rastit, por asgjë nuk mundet të kompensojë dhimbjen dhe trishtimin i cili mbizotëron jo vetëm në Gostivar e Llaskarcë, por në të gjithë vendin.   
 
FITIM KRYEZIU