Maqedoni

Interpretimi autentik i PSP-së, kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e Joveskit

14.02.2019 19:02

Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e kryeprokurorit, Ljubomir Joveski, për një interpretim apo sqarim autentik të nenit 22 të Ligjit për PSP-në...

Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e kryeprokurorit, Ljubomir Joveski, për një interpretim apo sqarim autentik të nenit 22 të Ligjit për PSP-në, i cili e kufizon specialen për hapjen e procedurave hetimore dhe ngritjen e akuzave në afat prej 18 muajve.
 
Shqyrtimi do të nis pasi kryeparlamentari, Talat Xhaferi, të kthehet nga Shqipëria, ndërkaq për aprovimin nevojiten 80 vota, po aq sa është miratuar themelimi i PSP-së. 
 
Për arritjen e dy të tretave të votave, përpos partive në pushtet, do të nevojitet edhe pëlqimi i deputetëve të pavarur të VMRO-së, me qëllim që PSP të vazhdojë me lëndët për të cilat nuk është parashtruar aktakuzë deri më 30 qershor të vitit 2017.
 
LSDM mbështet vazhdimin e hetimeve të reja nga specialja. Njëjtë shprehen edhe nga BDI, edhe përkundër dyshimeve për përfshirje të funksionarëve të saj bashkë me të VMRO-së në lëndët e PSP-së.
 
Kërkesa e Prokurorisë Publike për interpretim autentik në Kuvend erdhi pas kërkesës së Gjykatës Penale që të deklarohen për kompetencat e PSP-së në disa lëndë.
 
Paraprakisht, Supremja me shumicë absolute vendosi që PSP të mos vazhdojë hetimet për lëndët e hapura pas 30 qershorit të 2017-s. Këtu renditen lëndët për hetimin e regjistrimit të popullsisë, “Monstra” “I fuqishmi”, “Pacienti” dhe të tjera.
 
MERAL ISMAILI