Botë

Vriten 44 policë indianë në Kashmir

14.02.2019 20:10

Raportohet se 44 policë indianë mbetën të vrarë në Kashmir pas një sulmi vetëvrasës ndaj konvojit me të cilin po udhëtonin...

Incidenti në rajonin e kontestuar të Kashmirit, pritet të rrisë tensionet mes Indisë dhe Pakistanit.
 
Një grup militant islamik nga Pakistani e mori përgjegjësinë për sulmin.
 
India e ka akuzuar për një kohë të gjatë Pakistanin për mbështetjen e militantëve islamikë në Kashmir.
 
Ambasadori amerikan në Indi, Ken Juster, dënoi sulmin.
 
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Indisë në luftimin e terrorit dhe mundjen e tij” thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan.
 
India dhe Pakistani kanë pretendime ndaj rajonit të Kashmirit që nga viti 1947 si dhe kanë zhvilluar dy lufta për këtë vend.
 
Të dyja vendet posedojnë armë bërthamore.