Debreshi ua dha lamtumirën e fundit Rahmetulla Adurahimit dhe Valdeta Hamitit

15.02.2019 16:03

Debreshi u ka dhënë lamtumirën e fundit dy të rinjve nga ky fshat....

Debreshi u ka dhënë lamtumirën e fundit dy të rinjve nga ky fshat, Rahmetulla Adurahimit dhe Valdeta Hamitit. Ata ishin dy nga 14 viktimat e aksidentit tragjik të ndodhur para dy ditësh në autostradën Shkup – Gostivar, njofton “TVM2”.

Varrimi i tyre me nderime më të larta fetare u bë në varrezat e fshatit Debresh, ku kishte me qindra qytetarë që kishin ardhur për t’i përcjellë ata për në banesën e tyre të fundit.

Në varrim merrte pjesë edhe një delegacion nga Myftinia e Gostivarit me në krye myftiun, Shaqir Fetahu.

Rahmetulla Abdurahimi - 34 vjeçar, la pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, më i vogli vetëm katër muajsh. Ai ka punuar në Byronë për zhvillim të arsimit në Shkup.

Valdeta Hamiti ishte 30 vjeçare dhe pas vetes la bashkëshortin dhe dy fëmijët, më i madhi 4 vjeç dhe më i vogli shtatë muajsh. Ajo ishte profesoreshë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

Ajo ishte kthyer në shtëpi, pasi atë natë e kanë lajmëruar se njëri nga fëmijët është i sëmurë. Megjithatë, udhëtimi i Valdetës dhe Rametullait përfundoi pa mos arritur në shtëpi, në fshatin Llaskarcë të Shkupit, vendi ku përfundoi i rrotulluar autobusi i kompanisë “Durmo Turs”.

Ditën e djeshme në Gostivar u varrosën 5 viktima të aksidentit tragjik të ditës së mërkurë. Sot për në banesën e tyre të fundit u përcollën edhe gostivarasit tjerë që pësuan në këtë komunikacion, duke e bërë edhe më të rëndë këtë ditë zie në Gostivar. (Lulzim Haziri, TVM2)