Spitali “8 shtatori”, lëshohen për kurim shtëpiak gjashtë të lënduar
Gjashtë të lënduar në aksidentin e 13 shkurtit në Llaskarcë....

Gjashtë të lënduar në aksidentin e 13 shkurtit në Llaskarcë, të cilët ishin shtrirë në Spitalin “8 shtatori”, sot u liruan për kurim shtëpiak. Njëri nga të lënduarit, Abdulbahri Ismaili, kishte marrë lëndime në kokë dhe trup, por pas trajtimit spitalor gjendja e tij shëndetësore u stabilizua dhe ai u lirua për kurim shtëpiak.
Ismaili u shpreh i kënaqur dhe falënderues nga trajtimi i personelit në Spitalin “8 shtatori”, por edhe banorët e Llaskarcës për ndihmën fillestare.
“Falënderoj popullin që na ka ndihmuar, shpejt na shpëtuan, por ajo ishte tragjike. Nuk mund të tregoj, le të tregojnë hetimet. Mirë jam, kisha lëndime në kokë dhe lëndime në trup”,- tha i lënduari, Abdulbahri Ismaili.
Abdulbahriun e priti vëllai i tij, Yzxhan Ismaili, i cili shprehu keqardhje për ata që kanë humbur të afërmit, ndërsa theksoi traumën që ua ka shkaktuar incidenti atij dhe familjes, pasi e kishin të vështirë të siguronin informacione nga spitali për gjendjen e të afërmve të tyre.
“Vizitat nuk i lejonin, nuk e dinim si është dhe nuk lejonin t’i shihje. E dimë se ishte rëndë, kishte edhe të vdekur”,- u shpreh familjari, Yzxhan Ismaili.
Edhe për familjen e Vaid Aliut këto ditë ishin shumë të vështira, pasi vajza e tyre 22 vjeçare, Dilara, e cila është studente në fakultetin e mjekësisë në Shkup, sot i është nënshtruar një operacioni.
“E ka të thyer një pjesë te kukat, e kanë marr në orën 7 në operacion, po presim të dalë nga operacioni. Shumë keq, jemi ende në shok, por edhe më keq është për ata që kanë të vdekur. Më dhemb zemra”,- tha prindi, Vaid Aliu.
Në Spitalin “8 shtatori” ishte sot edhe Muzafer Ziberi nga Llaskarca, i cili kishte ardhur për t’i vizituar të lënduarit të cilët i kishte sjellë ditën kritike në spital.
“Sot erdha ta vizitoj një person nga Gostivari të cilin nuk e kam asgjë, por ishte mirë. Në veturën time i kam sjellë 5 persona, përfshirë edhe shoferin, dhe të gjithë janë mirë”,- u shpreh banori i Llaskarcës, Muzafer Ziberi.
Ata njëherit u shprehën falënderues për familjet në Shkup që i hapën dyert për të qëndruar gjatë periudhës derisa i kanë familjarët e tyre në spital, por shumica preferojnë të udhëtojnë për çdo ditë nga Gostivari, prej ku janë shumica e të lënduarve. (Gyltene Sinani, TVM2)
