Gjuha e urrejtjes në raste tragjedish, Hamzai: Persona të tillë duhet të injorohen
Tragjedia e Llaskarcës me 14 viktima u shoqërua edhe me përhapjen e gjuhës së urrejtjes....

Tragjedia e Llaskarcës me 14 viktima u shoqërua edhe me përhapjen e gjuhës së urrejtjes me postimet në rrjetet sociale të profesoreshës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Biljana Vankovska, dhe gazetarit, Milenko Nedellkovski. Vankovska në postimin e saj menjëherë pas aksidentit ka shkruar “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallak!”, derisa Nedellkovski ka shkruar “Zoti është i madh! Ngadalëson por nuk harron! Reagimet e këtilla kanë shkaktuar reagime të shumta të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi për nxitësit e urrejtjes edhe në raste të tragjedive të këtilla, ku për nderimin e viktimave të etnive qeveria ka shpallur dy ditë zie.
Ndërkohë, përmes një aksioni gueril nga Forumi Rinor Shqiptar në oborrin e Universitetit “Kirili dhe Metodi”, në mënyrë simbolike është kërkuar shkarkimi i profesoreshës Vankovska. Në disa fotografi të Vankovskës të ngjitura në oborrin e universitetit është kërkuar përjashtim. Psikologu, Migjen Hamzai, thotë se nuk është hera e parë që akademikë e fytyra publike të shprehin gjuhën e urrejtjes, por, sipas tij, deklarata të këtilla në raste tragjedish mund të bëjnë vetëm njerëzit sadistë. Psikologu Hamza thotë se kjo kategori e njerëzve duhet të injorohen.
“Nuk është e habitshme që njerëzit e atillë akademikë japin deklarata të atilla. Atë që ke te vetja, atë do të japish. Ke agresivitet do të japish agresivitet, ke urrejtje do të japish urrejtje. Dhimbja është e përbashkët, procesin e ziut duhet ta kalojmë së bashku. Është një tragjedi që ka vrarë shumë zemra, ka thyer shumë motive. Mbi dhimbjen e të tjerëve ngrihen vetëm psikopatët dhe sadistët. Mos bien preh e tyre, kanë ekzistuar ekzistojnë dhe do të ekzistojnë. Sociopati dhe sadisti nuk ndikon tek rinia, por mund të ndikojë me të ngjashmit me ta por jo në rini. Më e mira është të mos biem pre e profeksioneve të tyre. Ata flasin për një fenomen që bie preh e kësaj, kjo nuk më duket e natyrshme, thjesht injoroje”,- u shpreh psikologu, Migjen Hamzai.
Reagimet në rrjetet sociale për postimet me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, duke aluduar në incidentet e vitit 2001, në momentet kur vendi është në zi për 14 jetët e humbura u dënuan nga qytetarë të shumtë të të gjitha bashkësive etnike në vend. (Rejhane Bushi Metaj,TVM2)
