Aksidenti tragjik, 6 persona në kujdes intensiv, 2 në gjendje të rëndë
Gjithsej 30 persona vazhdojnë të trajtohen nëpër klinikat e Shkupit....

Gjithsej 30 persona vazhdojnë të trajtohen nëpër klinikat e Shkupit pas aksidentit tragjik të së mërkurës në fshatin Llaskarcë.
Në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Terezë” po trajtohen 8 persona, nga të cilët 6 janë në kujdesin intensiv, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje kritike dhe po mbahen në jetë nga aparatura për frymëmarrje. Vajza 19 vjeçare me lëndime në pjesën e shpatullës, e cila është në gjendje kritike, për momentin është dërguar për operim në Klinikën “Nënë Tereza”, gjendja e saj është e rëndë dhe ekziston mundësia për amputim të këmbës.
“Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 6 gjenden në dhomën për kujdes intensiv. Tek dy prej tyre gjatë ditës së djeshme është bërë ndërhyrjeve kirurgjikale. Dy prej tyre janë në aparatura për frymëmarrje dhe gjendja e tyre është kritike. Në spitalin klinik të Shkupit gjithsej po trajtohen 8 pacientë, 4 prej të cilëve janë të vendosur në Klinikën për anestezion, një në traumatologji dhe një në neurokirurgji, gruaja shtatzënë gjendet në klinikën për gjinekologji dhe është në gjendje të mirë. Sa i përket 19-vjeçares, do të vendoset se si do të vazhdohet trajtimi i saj, pasi këmba është shtypur dhe ekziston mundësia që t’i amputohet”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në Spitalin e qytetit “8 shtatori”, gjithsej janë të shtrirë 22 pacientë, ndërsa 6 prej tyre janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Mbrëmë tek 2 pacientë është kryer ndërhyrje kirurgjikale.
“Nga 28 pacientët që kemi pranuar, 6 prej tyre janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Tani janë 22 të pranishëm në spitalin tonë, ata pra janë me lëndime më të lehta, janë në gjendje të mirë. Nga 22 pacientët, 5 janë në dhomën për trajtim intensiv, 2 janë në aparate për frymëmarrje, janë në gjendje politramutiake, që nga momenti kur ka ndodhur tragjedia. Ata janë të politraumatizuar, megjithatë dominante është neurotrauma. Pra, kanë dëmtime dominuese të trurit dhe eshtrave të fytyrës. 3 të tjerët të cilët janë në dhomën për kujdes intensiv dhe janë të operuar”,- deklaroi drejtori i Spitalit “8 shtatori”, Hristijan Kosov.
Në aksidentin me pasoja fatale humbën jetën 14 persona dhe afër 30 të tjerë vazhdojnë trajtimin nëpër spitalet e vendit. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
