Maqedoni
MPB: Priten detaje nga aksioni kundër ISIS-it
16.02.2019 12:55
Ministria e Punëve të Brendshme pas shumë orëve nga operacioni i gjerë anti-ISIS....

Ministria e Punëve të Brendshme pas shumë orëve nga operacioni i gjerë anti-ISIS, ashtu siç u paralajmërua përmes një komunikate, nuk ka dhënë hollësi, duke mbajtur të fshehura detajet se çfarë po përgatitej. Jozyrtarisht mësohet se janë arrestuar kryesisht persona nga Shkupi. Ndërsa detajet e tjera jozyrtare flasin edhe për persona të ndaluar nga qytete tjera, për shumicën e të cilëve janë shqiptuar masa paraburgimi.
Sipas një komunikate mbrëmë vonë të MPB thuhet se policia ndërmori masa operativo-teknike dhe bastisje në disa lokacione lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e shtetit tonë nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetës të organizatës terroriste ISIS.
“Ministria e Punëve të Brendshme, pas njohurive operative të këmbyera paraprakisht me një vend partner, lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetëse të SHI-së, zbatoi masa operativo-teknike me qëllim të identifikimit të organizuesve të mundshëm dhe kryerësve potencial të sulmit. Me qëllim të pengimit të sulmit terrorist dhe realizimit të funksionit preventiv, Ministria e Punëve të Brendshme përpunoi plan të masave dhe aktiviteteve, për çka siguroi urdhëra adekuate për zbatimin e tyre”, informojnë nga MPB.
Pas urdhërave të marrë në disa lokacione në territorin e shtetit janë kryer bastisje me ç’rast janë marrë mjete dhe pajisje të cilat janë të lidhura me sulmin e mundshëm. Nga Ministria informojnë se vazhdojnë të kryejnë veprime, masa dhe aktivitete me të cilat punohet në sigurimin e qytetarëve.
