Botë

Basha i djeg mandatet, Rama nuk e ka ndërmend të dorëhiqet

18.02.2019 18:08

Pas protestës së të shtunës, Partia Demokratike ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të saj....

Pas protestës së të shtunës, Partia Demokratike ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të saj, me qëllim për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari demokrat, Lulzim Basha, tha menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar se opozita e bashkuar kërkon qeveri transitore për të çuar vendin në zgjedhje.
 
“Duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie transitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare; Vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të Partisë Demokratike në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike autorizoi kryetarin e Partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë”,- tha Basha.
 
Më herët, gjatë mbledhjes së grupit socialist, kryetari, Edi Rama, u shpreh skeptik nëse opozita e bashkuar do të gjente konsensus për djegien e mandateve. Ndërsa në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della sera”, Rama është shprehur qartë se nuk do të ketë as dorëheqje nga ana e tij dhe as zgjedhje të parakohshme.
 
Ndërkohë, ditën e djeshme janë arrestuar 15 persona lidhur me aktet e dhunës të ushtruara gjatë protestës para kryeministrisë të shtunën e 16 shkurtit.
 
LULJETA NDOKA