Maqedoni
Takimi Zaev - Ahmeti për kandidatin konsensual
18.02.2019 18:12
Takimi i parë në mes kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti.....

Takimi i parë në mes kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti, rreth kandidatit konsensual për president, përfundoi pa përmendur ndonjë emër të mundshëm si kandidat për president, por të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se takimet e tilla konsultative duhet të vazhdojnë, deri sa të gjendet një kandidat i pranueshëm për të dyja etnitetet më të mëdha në vend.
Zaev dhe Ahmeti u shprehën se takimi i sotëm ishte vetëm faza e parë ku është biseduar vetëm për mundësinë se a ia vlen të shkohet me një kandidat të përbashkët apo jo, ndërsa në fazën e dytë do të flitet për emrat e mundshëm, të cilat janë anketuar nga sondazhet e brendshme partiake. Zaev dhe Ahmeti thanë se deri në fund të kësaj jave duhet të sillet vendim se a do të duhet të dilet me një kandidat të përbashkët, ndërsa deri në fund të javës tjetër pritet të zbardhet edhe emri i kandidatit.
“Ishte një takim konsultativ në mes partnerëve të koalicionit, çështjet mbi të cilat ne sot diskutuam, t’i vendosim në diskutim në debat, në organet drejtuese të partive, dhe partitë do të jenë ato të cilat do të marrin vendimin përfundimtar. E rëndësishme është që të respektohet edhe vullneti i shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe takimi i sotëm nuk ka lakuar emra”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Ndërtimi i aspiratave që të vijmë deri tek një kandidat i përbashkët, mund të them këtu para jush, se ka gjasa dhe nuk është e pamundur. Sigurisht se secili subjekt politik do t’i shpalosë qëndrimet e tyre, por mendoj se ia vlen që në këtë periudhë, deri sa janë dhënë mundësitë ligjore nga KShZ, që të harxhojmë mund dhe energji, dhe të bëjmë përpjekje, që ta përcjellim porosinë e bashkimit në shtetin tonë. Unë jam optimist se ky proces do të mbarojë me sukses, së paku për një pjesë të madhe të partive politike, të cilat do të kenë mundësi që ta përkrahin një personalitet, i cili do të jetë për të gjithë i barabartë”,- është shprehur kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev njëherit theksoi se nuk ka asgjë kundër që VMRO-DPMNE të ketë kandidatin e saj për president, por vlerësoi se Gordana Siljanovska nuk është e pranueshme për LSDM-në, sepse ajo është kundër konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe nuk mund t’i përfaqësojë edhe interesat e LSDM dhe shumicës së popullatës në vend.
Ahmeti dhe Zaevi po ashtu shtuan se shumica qeveritare ka një obligim shtesë, që të organizojë zgjedhje të qeta të lira dhe demokratike. Për takimet dhe informacionet shtesë janë autorizuar sekretarët organizativë të të dy partive.
FITIM KRYEZIU
