Maqedoni

Aksidenti tragjik, prokuroria i merr në pyetje dëshmitarët

18.02.2019 18:36

Prokuroria Themelore vazhdon intensivisht punën për të vërtetuar shkaqet e aksidentit tragjik....

Është mbajtur tashmë një takim i prokurorëve me përfaqësuesit e MPB-së, Byrosë për Ekspertiza Gjyqësore, Fakultetit të Makinerisë dhe Institutit për Mjekësi Ligjore. Prokuroria ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes së rëndë.
 
“Do të merren në pyetje të gjithë personat, si të lënduarit po ashtu edhe udhëtarët e këtij autobusi dhe dëshmitarët e ngjarjes. Këtë javë do të merret në pyetje edhe shoferi i autobusit, si njëri nga personat e lënduar dhe si pjesëmarrës në aksident. Do të spekuloja nëse them se sa do të zgjasin hetimet”,- deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Publike, Elizabeta Nedanovska.
 
Prokuroria ka marrë nga MPB skicat, fotot dhe rrëfimet rreth aksidentit, është  bërë edhe inspektim në vendin e ngjarjes. Që të premten Prokuroria ka urdhëruar sigurimin e dëshmive të shkruara nga personi juridik nga “Durmo Turs”. Janë dorëzuar dokumentacionet nga obduksioni i viktimave dhe është kërkuar edhe dokumentacion shëndetësor i kompletuar i të lënduarve. Janë kërkuar listingjet e telefonit të shoferit,  telefoni gjendet për ekspertizë për të verifikuar nëse në momentin kritik ka pasur thirrje hyrëse apo dalëse prej numrit të shoferit. 
 
Fakulteti i Makinerisë në Shkup po kryen ekspertizë për kontrollin teknik të autobusit në momentin e fatkeqësisë. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs” ishte i siguruar në kompaninë e sigurimeve “Eurosig”, drejtuesit e së cilës sqarojnë se janë të gatshëm të fillojnë me pagesën e dëmshpërblimit për të vdekurit dhe të lënduarit, bazuar në obligimet që dalin nga polisa e sigurimit të aksidenteve në udhëtim. 
 
“U bëj thirrje të gjitha familjeve të paraqesin sa më parë dokumentacionin dhe nëse dokumentacioni vjen brenda tre ditësh, kompania është e gatshme që brenda tre ditësh të paguajë të gjitha obligimet që ka nga polisa e sigurimit të aksidentit, 4500 euro është për të ndjerët, nga 2500 deri në 9000 në rastet e invaliditetit”,- tha Kadri Morinaj nga “Eurosig”. 
 
Ndërsa për polisën motorike dëmshpërblimi do të jepet në bazë të përgjegjësisë për incidentin, sqarojnë nga kompania e sigurimit, nga e cila apelojnë te autoritetet që sa më parë të definohet përgjegjësia për aksidentin në Llaskarcë.
 
“Pasi të dalë përgjegjësia e fajtorit, kompania e sigurimeve “Eurosig” do të shqyrtojë step baj step të gjitha dëmshpërblimet financiare në bazë të legjislacionit në fuqi të shtetit maqedonas, për sigurimin e polisës TPL. Diçka është e garantuar, kompania ose institucionet e ngarkuara për këtë punë e kanë obligimin t’u përgjigjen në dëmshpërblim edhe për sigurimin e TPL-së. Kjo polisë është polisë e sigurimit të motorit, për çka ne kërkojmë raportin e policisë”,- u shpreh Kadri Morinaj nga “Eurosig”.
 
Polisa e sigurimit motorik kap vlerën prej rreth 675.000 eurosh për të gjithë të prekurit, ndërsa dëmshpërblimi do të jetë në bazë të moshës dhe asaj që përcakton rregullorja dhe ligji, theksojnë nga “Eurosig”, nga e cila premtojnë transparencë të plotë në procesin e dëmshpërblimit. 
 
GYLTENE SINANI