Botë

Mogerini: hiqni taksën, të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

18.02.2019 19:00

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, konfirmoi se është e gatshme të organizojë....

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, konfirmoi se është e gatshme të organizojë takime maratonike në nivel të presidentëve, në mënyrë që të arrihet marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ajo tha se tash për tash, nuk ekzistojnë kushte për të thirrur një takim të ri.
 
Sipas Mogherinit, duhet të ketë “pezullim ose heqje të tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës” nga ana e Kosovës, në mënyrë që të krijohen kushtet për një takim të ri ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
 
“Në momentin që krijohen kushtet, jo vetëm që jam e gatshme që mëngjesin e ardhshëm të organizoj takimin, por edhe ta përmbyllim atë për aq kohë sa nevojitet: shtatë ditë, një apo tre muaj”,- ka thënë Mogherini.
 
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, tha se të gjithë duhet të përdorin një atmosferë pozitive në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Mogherini tha se nuk po sheh “ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në këtë drejtim”.