Rikthehet në gjykatë lënda për Almirin, mbrojtja kërkon ndërrimin e gjykatësit ndihmës
Është mbajtur seanca e parë e rigjykimit të lëndës për Almir Aliun....

Është mbajtur seanca e parë e rigjykimit të lëndës për Almir Aliun. Mbrojtja e familjes Aliu kërkon ndërrimin e gjykatësit ndihmës, për të cilin dyshon se mund të jetë i anshëm gjatë procesit për shkak të përkatësisë së njëjtë etnike me të akuzuarin, Boban Iliq.
Nëse gjykatësi i dytë nuk ndërrohet me një gjykatës shqiptar, mbrojtja do të kërkojë që procesi gjyqësor të zhvillohet në ndonjë gjykatë tjetër. Gjykimi u anulua për më 2 prill.
“Kemi kërkuar që të ndërrohet gjykatësi i dytë, më saktë ndihmësi i gjykatësit, Lubomir Gjorçeviq, i cili është i përkatësisë së njëjtë etnike me të akuzuarin, Boban Iliq, pasi dyshojmë se i njëjti gjatë procesit gjyqësor do të jetë i anshëm. Ne insistojmë që gjykatësi i dytë të jetë shqiptar, vetëm ashtu do të mundemi të besojmë në një vendim të rregullt. Nëse kjo kërkesë nuk na merret parasysh, atëherë ne, sipas Ligjit për Procedurë Penale, do të ndërmarrim masa tjera për ndërrimin e plotë të gjykatës dhe do të kërkojmë që gjykimi të vazhdohet në ndonjë gjykatë të një qyteti tjetër”,- deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiç.
Edhe në gjykimin e rifilluar pas kthimit të lëndës nga Apeli, trupi gjyqësor është i njëjtë. Mbeten të pandryshuara gjykatësja, Maja Denkovska, dhe prokurorja, Suzana Kusigerska.
Apeli e ktheu në rigjykim lëndën për Almirin, pas ndryshimit të veprës penale, gjatë procedurës.
Filimisht Iliq u akuzua për vrasje me paramendim, e më pas akuzua u ndryshua në veprën penale: “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”.
Ankesa pati edhe për ekspertët neuropsikiatër të përfshirë në këtë rast, të cilët kanë pasur licenca me afate të skaduara. Boban Iliq aktualisht është i dënuar me 6 vite burg, ndërsa Sami Demiri dhe Abdullah Aliu me 9 muaj burg. (Fatlum Aqifi, TVM2)
