Shkupi - i teti në botë nga ndotja, organizatat qytetare paralajmërojnë padi
Shkupi u radhit sërish mes të parëve në listën botërore, mes qyteteve me ajrin më të ndotur në botë...

Faqja e internetit “Airvisual” ka renditur Shkupin në vendin e 8 në botë për nga ndotja e ajrit.
Para kryeqendrës sonë radhitet Pekini, Beogradi, Dehli, Sarajeva, Shangai Krakova dhe Daka.
Ndotja enorme e ajrit ka shkaktuar reagimin e 4 organizatave qytetare – Ambasada e parë e fëmijëve në botë – Megjashi, “Radar”, “Instituti i Gjelbër” dhe “Gazetarët për të drejtat e njeriut”, që po përgatisin padi ndaj shtetit dhe Qytetit të Shkupit.
Tashmë ka filluar edhe mbledhja e nënshkrimeve në peticionin “Zero tolerancë për ndotjen e ajrit”.
Një zyrë avokature ka ofruar shërbime falas për këto organizata, por drejtuesit e tyre thonë se fillimisht duhet të bëhet një analizë ekspertësh për t’u dhënë përgjigje pyetjeve se në çfarë mase dhe intensiteti është ndotja në Shkup nga shkalla e lartë e grimcave kancerogjene PM 10 dhe PM 2.5, dhe çfarë dëmesh shkakton kjo ndotje në shëndet, veçanërisht tek fëmijët.
Ekspertizë po kërkojnë edhe për ndotjen në qytete të tjera. Këto organizata i janë drejtuar të gjithë anëtarëve të Komitetit për të drejtat e fëmijëve pranë OKB-së në Gjenevë, prej të cilëve kanë kërkuar ndihmë për shkeljen flagrante që u bëhet, sipas tyre, të drejtës elementare të fëmijës, asaj për jetë, të garantuara edhe me Kushtetutë edhe me Konventën për të drejtat e fëmijëve.
BESIM ABDULLAI
