Maqedoni

Gjykimi për “27 prillin”, të akuzuarit: nuk jemi fajtorë për veprën që akuzohemi

19.02.2019 15:21

Në fjalët përfundimtare për gjykimin e “27 prillit”, të akuzuarit, Munir Pepiq, Abdulfetah Alimi, Igor Durllovski, Mlladen Dodevski dhe Jane Çento...

Në fjalët përfundimtare për gjykimin e “27 prillit”, të akuzuarit, Munir Pepiq, Abdulfetah Alimi, Igor Durllovski, Mlladen Dodevski dhe Jane Çento, thanë se nuk kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.
 
Pepiq tha se më “27 prill” ka qenë zyrtarisht i angazhuar si kundërzbulues në Kuvend dhe se nuk ka sulmuar askënd dhe për këtë gjë ai ka dorëzuar evidencën e tij zyrtare.
 
“Në gjykatë thashë se nuk jam pjesë e asnjë  shoqate terroriste dhe se atë ditë isha zyrtarisht i angazhuar në Kuvend dhe punoja për interesat e shërbimeve të shtetit dhe për këtë gjë të emëruarit e mi kanë dorëzuar evidencën time zyrtare në prokurori dhe në gjykatë”,- deklaroi i akuzuari, Munir Pepiq.
 
I akuzuari tjetër, Abdulfetah Alimi, në fjalët e tij përfundimtare theksoi se veprimet e tij atë natë i ka bërë me urdhër dhe dijeni të shefave të tij. Tha se Goran Goshevski-Levi ka qenë ai i cili ia ka dhënë çelësat e dyerve të Kuvendit. Alimi po ashtu u tha gjykatësve se më 27 prill i ka ndihmuar të gjithëve.
 
I akuzuari Durllovski u tha gjykatësve se para se të marrin vendimin përfundimtar duhet të analizojnë mirë nëse ai ka përdorur ose jo fjalime nxitëse në protestat para Kuvendit. Ai tha se pas recitimit të himnit, është larguar nga Kuvendi për të ndjekur hendboll me djalin e tij dhe pasi që ka parë turmën e madhe të njerëzve para Kuvendit, sërish është kthyer atje. 
 
I akuzuari, Mlladen Dodevski, shprehi keqardhje për ndodhitë në Kuvend dhe tha se me qëndrimin e tij 40-minutësh nuk ka kryer asnjë vepër të kundër ligjshme. 
 
Jane Çento në fjalët e tij përfundimtare pyeti a ka dhunë më të madhe se sa hapja e dyerve të një turme të madhe të revoltuar, duke aluduar për të amnistuarit për këtë vepër penale.
 
Çento tha se  para fillimit të këtij procesi gjyqësor nga MPB dhe Prokuroria Themelore Publike ka pasur ofertë për të qenë dëshmitar i fshehtë dhe të mos ndiqet penalisht, por që ai kategorikisht ka refuzuar.
 
REXHEP QAMILI