Maqedoni

Nepotizmi, filluan dorëheqjet e të afërmve të funksionarëve

19.02.2019 15:53

Pas alarmimit se funksionarët qeveritarë po sistemojnë me shpejtësi të afërmit e tyre në pozicione të larta nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore....

Pas alarmimit se funksionarët qeveritarë po sistemojnë me shpejtësi të afërmit e tyre në pozicione të larta nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, ku ka rroga më të larta, edhe ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, paralajmëroi  tërheqjen e personave që u akuzuan për nepotizëm. Por, njëjtë si kryeministri Zaev një ditë më parë, edhe Mançevski tha shkurt se detajet do t’i japin personat që do të tërhiqen. 
 
“Rezultatet e para do t’i shikoni që sot, por të lëmë që këto rezultate të jenë hapa konkretë të paralajmëruar nga vetë personat e përfshirë në këtë proces”,- deklaroi ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Dhe dorëheqjet e para filluan. Nga posti në Regjistrin Qendror në Strumicë dha dorëheqje nëna e zëdhënësit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov. Ky i fundit nuk sheh asgjë të jashtëligjshme në këtë rast, por konfirmon se dorëheqja u dha për shkaqe morale. 
 
“Edhe pse nëna ime është e punësuar në mënyrë transparente, nëpërmjet shpalljes publike, ku janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, unë bisedova me të dhe ajo do të tërhiqen nga vendi i punës. Pres që ky parim i moralshëm të ndiqet nga të gjithë funksionarët”,- tha deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Priten gjatë ditës edhe dorëheqje të tjera. Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit tashmë ka publikuar listën me 18 emra të afërt me funksionarë të shumicës, të punësuar në institucionet apo ndërmarrjet shtetërore, të cilat do të hetohen në periudhën e ardhshme. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI