Maqedoni
Komisioni Rregullator i Energjetikës, Bislimovski: për 10 ditë dihet furnizuesi universal
19.02.2019 16:05
Në dhjetë ditët e ardhshme do të dihet se kush do të jetë furnizues universal i energjisë elektrike me çmime të rregulluara për familjet dhe ndërmarrjet...

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë presin mbylljen e ankandit në të cilin kanë konkurruar vetëm dy kompani, EVN dhe ELEM Trejd. Procedurat deri në marrjen e lejes së domosdoshme pritet të zgjasin edhe dy-tre muaj.
“Nga ajo që këto dy kompani kanë ofruar është se do të ketë ulje të paktën 20-30 për qind nga oferta e tyre fillestare. Përndryshe, në tregun e lirë të energjisë elektrike ne jemi i vetmi vend në rajon ku ka tetë furnizues aktivë të energjisë elektrike”,- deklaroi kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimovski.
Kompania e cila do të zgjidhet për furnizues universal, duhet të formojë kompani të veçantë që do të kryejë veprimtarinë e furnizuesit universal.
Deri atëherë EVN do t’i furnizojë konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë sipas çmimeve që i përcakton KRRE-ja.
SEDAT SELIMI
