Maqedoni
Rasti "Titanik 2", Iseni: të akuzuarit janë të aboluar; Ibraimi: PSP na akuzon me supozime e prova të rrejshme
19.02.2019 16:20
U dhanë fjalët përfundimtare të palës mbrojtëse në rastin “Titanik 2” të PSP-së për parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale 2013...

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, nuk shpalosi fjalë përfundimtare, këtë detyrë ia la avokatit mbrojtës, i cili përfaqëson edhe anëtarin e PDSh-së në komisionin e atëhershëm qendror zgjedhor, Bedredin Ibraimin.
Avokati, Elver Iseni, duke u thirrur në vendimin e Gjykatës Supreme për PSP-në, vlerëson se akuza në këtë rast është ngritur nga paditësi i paautorizuar, andaj nga trupi gjykues kërkoi aktvendim refuzues.
Iseni akuzoi se PSP nuk ka dorëzuar proces verbal për provat, ndërsa si fakt të rëndësishëm përmendi abolimin e dy klientëve të tij nga presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, abolim i cili vlen në shtetet anëtare të BE-së dhe gjykatat ndërkombëtare.
Ai tha se akuza bazohet në përgjimet e siguruara në mënyrë joligjore për të cilat nuk është vërtetuar identiteti i zërave, andaj kërkoi vendim për shpalljen e dy të akuzuarve të pafajshëm.
Iseni theksoi se vendimi i anëtarit të KShZ-së, Bedredin Ibraimit, ka qenë i drejtë dhe ligjor, dhe i njëjti nuk ka pasur pasoja të dëmshme.
I pandehuri, Bedredin Ibraimi, i dha vetë fjalët e tij përfundimtare. Ai tha se kjo procedurë penale dëshmon se PSP punon me prova selektive, të rrejshme, supozime dhe me fshehje të dëshmive, andaj kërkoi aktvendim refuzues për këtë rast.
Ibraimi sqaroi se abolimi i presidentit Ivanov ka qenë i panevojshëm për të, pasi ai nuk ka kryer vepër penale.
Sipas tij, në rastin kur anëtarët e KShZ-së punojnë në mënyrë të papërgjegjshme dhe joprofesionale, ata përgjigjen para Kuvendit.
Ibraimi para trupit gjykues tha se në asnjë rast nuk i ka përdorur autorizimet e tij dhe nuk ka realizuar interes e as dëm. Ai tha se PSP ka zhgënjyer opinionin, por edhe vetë atë, duke thënë se këtu nuk ka elemente të veprës penale.
Në “Titanik 2” të akuzuar janë lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, si dhe ish anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.
FLORIJE BELULI KAMBERI
