Maqedoni
Aksidenti në Llaskarcë, 4 persona vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë
19.02.2019 17:27
Katër nga personat e lënduar në aksidentin tragjik të 13 shkurtit, vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore pa asnjë përmirësim....

Në Njësinë për kujdes intensiv, ku gjenden të shtruar katër pacientët, dy prej tyre që nga momenti kur janë pranuar në spital vazhdojnë të marrin frymë përmes ventilimit mekanik. Edhe 19 vjeçarja të cilës mjekët ia amputuan këmbën, mbetet edhe më tej në gjendje të rëndë.
15 vjeçari, i cili është pacienti më i ri nga të gjithë të shtruarit në spital, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme të mjekëve dhe gjendja e tij ka përmirësime të dukshme. Në Spitalin “8 shtatori” ishin të shtruar 5 persona të lënduar, dy prej tyre janë lëshuar për mjekim shtëpiak, nesër do të kontrollohen detaisht edhe disa nga të lënduarit të cilët mund të lëshohen për kurim shtëpiak.
Organet kompetente vazhdojnë punën për zbardhjen e rastit. Prokuroria vazhdon të punojë me të gjitha institucionet për të marrë përgjigjen e shkakut që çoi në aksidentin tragjik e që rezultoi me 15 viktima dhe 37 të lënduar.
Nga VMRO edhe më tej vazhdojnë të kërkojnë llogari se përse stacionit për kontrolle teknike “Lidhja Auto Moto - Gostivar”, pronar i të cilit është pronari i Kompanisë “Durmo Turs”, pasi i është marrë leja për punë nga MPB, e njëjta i është kthyer pas një jave, kur ligji përcakton qartë se leja nuk mund të kthehet para afatit 30-ditor.
“Spasovski dhe të tjerët që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. Kush e ka nënshkruar vendimin për kthimin e lejes për punë, edhe pse ka ekzistuar pengesë serioze ligjore, por edhe të përgjigjen nëse janë bërë kontrolle teknike kur nuk ka pasur licencë? Qytetarët presin përgjigje në vend të gënjeshtrave”,- tha Orce Gjorgievski nga VMRO-DPMNE.
MPB ka kryer kontroll teknik në Gostivar mbi makinat që kryejnë transport të udhëtarëve. Në këtë kontroll janë përfshirë 12 makina, 3 prej të cilave kishin defekte në pajisjet e frenimit dhe ato menjëherë janë shkyçur nga trafiku.
ZEKIRIJA MEXHITI
