Maqedoni
Aksidenti tragjik, prokuroria merr në pyetje shoferin Trifunovski
19.02.2019 17:52
Shoferi i autobusit të aksidentuar më 13 shkurt në Llaskarcë, Manoil Trifunovski...

Shoferi i autobusit të aksidentuar më 13 shkurt në Llaskarcë, Manoil Trifunovski, është marrë në pyetje në Prokurorinë Themelore në Shkup, ku po zhvillohen hetimet për aksidentin që u mori jetën 15 personave dhe la të plagosur mbi 30 të tjerë.
Detaje për atë se çfarë ka thënë Trifunovski në prokurori nuk janë dhënë, por prokuroria ka kërkuar edhe dëgjimin nga telefoni i tij, që të konfirmohet nëse shoferi ka qenë duke biseduar në telefon në momentin e aksidentit. Menjëherë pas aksidentit, Trifunovski gjatë marrjes në pyetje pati deklaruar se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur.
Për të kompletuar hetimet, prokuroria ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, Mjekësia Ligjore, raportet e obduksionit si dhe ekspertizën e automjetit nga Fakulteti i Makinerisë. Është kërkuar edhe dokumentacion shtesë nga “Durmo Turs”, ndërsa vazhdon marrja në pyetje edhe e udhëtarëve dhe dëshmitarëve tjerë në vendin e aksidentit. Deri tani është konfirmuar vetëm shpejtësia e autobusit të aksidentuar, e cila ka qenë mes 80 deri në 85 kilometra në orë.
GYLTENE SINANI
