Maqedoni

Presidencialet, LSDM: Siljanovska vazhdon hapave të Ivanovit. VMRO: Kandidatin LSDM-së po ia zgjedh BDI-ja

19.02.2019 18:15

Vazhdojnë akuzat në bllokun politik maqedonas rreth kandidaturave presidenciale...

LSDM akuzon VMRO-në se kandidatja e tyre për president, Biljana Siljanovska, është dorë e zgjatur e Hristian Mickovskit dhe punon sipas  urdhrave të Nikolla Gruevskit.
 
Sipas LSDM-së, Veljanovksa njësoj si Ivanovi, tentoi që  me deklaratat e saj të shkaktojë ndarje mes etniteteve, duke shfrytëzuar madje edhe ditën kur i gjithë kombi ishte në zi, pas aksidentit tragjik në Llaskarcë. 
 
“Kjo sjellje e Siljanovskës tregon se po ecë sipas hapave të Ivanovit, duke i ndjekur direktivat e Mickovskit. Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk i duhet një Ivanov i ri, por personalitet i cili nuk do të ndajë popullin, por do ta bashkojë. President i cili do të jetë në shërbim të popullit dhe jo në shërbime të subjektit politik, e këtë Siljanovska nuk mund ta ofrojë”,- tha deputeti i LSDM-së, Konstandin Konstandinov.
 
Në thirrjen e brendshme të LSDM-së deri tani është paraqitur vetëm një kandidat, ai është Gjorgji Filipov.
 
VMRO ka akuzuar LSDM-së se po gënjen opinionin me gjoja kërkesa të hapura të kandidatëve për president, kur opinioni e ka të qartë se kandidatin e LSDM-së do ta zgjedhë BDI, e jo kryesia e socialdemokratëve. 
 
“Kandidatin për kryetar shteti nga radhët e LSDM-së do ta përzgjedhë Artan Grubi me asistim të Mile Zivçeviçit. Në LSDM nuk ka asgjë për sa i përket aplikacioneve në shpalljen publike, sepse aty nuk paraqitet askush, tani kërkohet kandidat i cili do ta ketë besimin e BDI-së. Tani organet e partisë në LSDM janë vendosur në funksion që ta votojnë kandidatin të cilin do ta përcaktonte Artan Grubi”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
 
Por, derisa VMRO merret me kandidatin ende të pazgjedhur të LSDM-së, Filip Petrovskin, që nuk mori dot përkrahje nga konventa në Strugë, ka drejtuar akuza ndaj kreut të partisë së tij, Mickovskit, të cilin e akuzon për orkestrim të procesit të përzgjedhjes së kandidatit.
 
Petrovski e ka cilësuar konventën e VMRO-DPMNE-së si aheng të dështuar privat të Mickovskit. Ai ka vendosur të mbledhë 10 mijë nënshkrime e të kandidojë si i pavarur.
 
“Ahengun privat të Mickovskit do e quajmë si histori, ne vazhdojmë më tutje. Po shpalos kandidaturën time për kryetar të shtetit, me grumbullimin e 10.000 nënshkrimeve. Këto nënshkrime do të tentoj t’i grumbulloj me katër pikat kyçe të programit tim, që janë: anulimi i Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimi i emrit të shtetit, anulimi i dygjuhësisë, kthimi i Maqedonisë sipas principeve të Ilindenit dhe Asnomit, dhe e fundit shkaktimi i gjendjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”,- tha  Filip Petrovski nga VMRO-DPMNE.
 
Garë e ashpër po zhvillohet edhe mes partive rome. Kandidaturat e tyre për president të shtetit i kanë paralajmëruar Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve dhe Samka Ibrahimovski nga Partia për Emancipimin e Romëve.
 
Në arsyetimin rreth kandidimit ata thonë se duan të masin trupin votues tek elektorati i etnitetit të cilin e përfaqësojnë.  
 
FITIM KRYEZIU