Maqedoni
Parlamentaret, Zaevi takoi Gashin dhe Thaçin
19.02.2019 18:30
Partnerët e koalicionit qeverisës, në parim vlerësojnë se është mirë që në zgjedhjet presidenciale të dalin me një kandidat të përbashkët...

Partnerët e koalicionit qeverisës, në parim vlerësojnë se është mirë që në zgjedhjet presidenciale të dalin me një kandidat të përbashkët, i cili fillimisht do të ishte i pranueshëm për to dhe për cilin sondazhet do të tregonin se gëzon mbështetje te shumica e qytetarëve.
Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, pas takimit me kreun e Alternativës, Afrim Gashin, dhe atë të PDSh-së, Mendu Thaçin, tha se ka atmosferë dhe disponim për një kandidat të përbashkët, pa përmendur emrat e kandidatëve të mundshëm që janë hedhur në tryezë.
“Gjithsesi, të gjitha hulumtimet dhe analizat që kemi bërë do t’i këmbejmë. Disa nga partitë kanë edhe analiza të veta. Deri në fund të javës do të konkludojmë nëse te të gjitha partitë ose një pjesë e partive ekziston ambient për ndërtimin e konceptit për kandidat të përbashkët, pas të cilit do të qëndronim të gjithë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, tha se partia e tij do të dëshironte kandidat mbipartiak, por nuk përjashtoi mundësinë që të mbështesë kandidatin e ndonjë partie tjetër të koalicionit qeverisës. Gjithsesi, për çdo rast do të vendosin organet e partisë.
“Ne kemi shfaqur gatishmërinë që të ndihmojmë këtë proces. Kemi gatishmëri dhe jemi pjesë e këtij procesi dhe konform procesit që do të zhvillohet në të ardhmen, mendoj se ka ambient të mirë që të arrihet deri te një kandidat i atillë”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Edhe kreu i PDSh-së ka përkrahur idenë për të shqyrtuar mundësinë për një kandidat të partnerëve të koalicionit qeverisës.
“Biseduam për procesin, biseduam edhe për disa emra. Ne sot në princip ramë dakord që të kthehemi nëpër partitë tona, të bisedojmë, të përmendim disa emra dhe më pas bashkërisht të shohim se cili është emri që koton më lartë”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Me takimet e sotme me Gashin dhe Thaçin, Zaevi përmbylli takimet me partnerët e koalicionit, pasi më parë takoi Ahmetin dhe partnerët e koalicionit të kryesuar nga LSDM. Mirëpo, në këtë proces, kryeministri Zaev kërkon mbështetjen edhe të opozitës shqiptare.
Ai paralajmëroi takime me kreun e ASh-së, Ziadin Selën, dhe atë të Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin.
SHPËTIM NUREDINI
