KShZ filloi përgatitjet për zgjedhjet presidenciale

20.02.2019 10:31

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sot do të mbajë seancë në të cilën do t’i shqyrtojë propozim-formularët për zgjedhjet presidenciale...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sot do të mbajë seancë në të cilën do t’i shqyrtojë propozim-formularët për zgjedhjet presidenciale, si dhe Propozim-formularët për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, Propozim-vendimin për konfirmimin e shpenzimeve për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore në vlera reale të realizuara, si dhe propozim-vendimin për shpërndarjen e mjeteve komisioneve komunale zgjedhore për zbatimin e zgjedhjeve të vitit 2019.

Anëtarët e Komisionit do ta shqyrtojnë edhe Propozim-vendimin për shpërndarjen e mjeteve avans njësive rajonale dhe zyrave për kontrollimin dhe sigurimin e vendvotimeve, Propozim-kodeksin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019 dhe zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e komunave të Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës, si dhe Propozim – udhëzimin për dukjen e bexhave të identifikimit të organeve zgjedhore, administratës zgjedhore, përfaqësuesve të autorizuar për parashtrimin e listës së kandidatëve dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendor për zgjedhjet e vitit 2019.

Në rend dite të KShZ-së është edhe Propozim-doracaku për edukimin e anëtarëve të komisioneve komunale zgjedhore, këshillat zgjedhorë dhe këshillat zgjedhorë për zbatimin e votimit jashtë vendit.