Maqedoni
Derkovski: nuk ka nevojë për debat, regjistri i votuesve azhurnohet vazhdimisht. KShZ, është organ që respekton kushtetutën
20.02.2019 15:17
Përfaqësuesit e KShZ-së janë të mendimit se nuk ka arsye për të hapur debat rreth regjistrit të votuesve...

Përfaqësuesit e KShZ-së janë të mendimit se nuk ka arsye për të hapur debat rreth regjistrit të votuesve, pasi i njëjti vazhdimisht po azhurnohet dhe plotësohet nga ana e autoriteteve të këtij komisioni.
Numri “një” i këtij komisioni, Oliver Derkovski, thotë se shumë shpejt qytetarët do të kenë qasje deri tek të dhënat e tyre personale në listën e votuesve dhe paralajmëroi se problemet që do të paraqiten do të mënjanohen në kohë.
“Ne si KShZ i kryejmë obligimet që kemi në lidhje me listën zgjedhore. Nga njësitë zgjedhore në kontinuitet dhe në bazë ditore po i azhurnojmë të dhënat dhe marrim rezultate për shlyerjen nga regjistri zgjedhor i personave që vendosin të heqin dorë nga shtetësia apo personat e vdekur dhe për këtë arsye mendoj se lista zgjedhore nuk duhet të jetë më temë për debat”- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Kreu i KShZ-së, Derkovski, po ashtu sqaroi se kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i ka shpallur zgjedhjet presidenciale, derisa vendi mbante emrin Republika e Maqedonisë, por ndërkohë kanë ndodhur ndryshime kushtetuese dhe KShZ është organ që respekton kushtetutën dhe ligjet.
“Në ndërkohë, kishte ndryshime kushtetuese të cilat ne nа obligojnë si organ shtetëror të respektojmë kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Në disa raste unë kam potencuar se unë jam legalist dhe dua t’i respektoj rregullat pozitive ligjore të cilat ekzistojnë për momentin”,- u shpreh kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Për shkak të shpalljes së rezultateve preliminare, në këto zgjedhje KShZ për herë të parë do t’i obligojë këshillat zgjedhorë që të fotografojnë procesverbalin dhe të njëjtin menjëherë ta dorëzojë në KShZ.
Në këtë mënyrë do të eliminohet mundësia që të bëhen korrigjime dhe ndryshime derisa të mbërrijnë në Komisionin Komunal.
REXHEP QAMILI
