Rasti "Thesari", furnizimet janë realizuar me kërkesa gojore
Seanca gjyqësore për rastin "Thesari", që ka të bëjë me furnizimin joligjor të pajisjes elektronike-komunikuese....

Seanca gjyqësore për rastin "Thesari", që ka të bëjë me furnizimin joligjor të pajisjes elektronike-komunikuese për nevojat e Drejtorisë së pestë pranë DSK-së ka vazhduar me dëshmitarin, Nikolla Nikollovski.
Ai, si ekspert i ekonomisë, i punësuar në MPB, si shef i Repartit për trajnime elektronike, tha se ekzistojnë marrëveshje gojore, por jo edhe kërkesë të parashtruar me shkrim për furnizimin e pajisjeve teknike në vitin 2012, të cilat MPB i ka siguruar si sekret shtetëror.
"Furnizimet planifikoheshin me plan vjetor për furnizime publike dhe ishin të parapara të gjitha procedurat të cilat duhet të zbatohen. Nuk kishte obligim që të parashihen edhe procedurat të cilat klasifikohen si sekret shtetëror. Kërkuesi, gjegjësisht sekcioni i MPB-së, ka parashtruar kërkesë dhe nënvizon se furnizimi do të ketë shkallë të sekretit shtetëror. Atë nuk e bën personi por shfrytëzuesi i sekcionit. Nga viti 2012 deri në vitin 2015, personi përgjegjës me autorizime të deleguara nga ministri ishte Gjoko Popovski. Ka pasur raste ku vetëm udhëheqësit kanë qenë kërkues ose shfrytëzues të fundit të kërkesave, pa marrë parasysh nëse janë nga Byroja për siguri publike apo DSK-ja".
Dëshmitar i radhës në këtë rast do të jetë ish ndihmës ministri i brendshëm, Gjoko Popovski, i dënuar në dy rastet e PSP-së "300" dhe "Tanku". Në lëndën “Thesari” i akuzuari i parë është ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, si dhe ish shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski, ish ndihmës ministri në MPB, Nebojsha Stajkoviq, dhe ish kryeshefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski.
Ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizime dhe dëmtim të buxhetit në vlerë prej 862.045 euro. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
