Maqedoni

Qeveria i obligon ministritë të merren masa për implementim të Ligjit të gjuhëve

20.02.2019 16:15

Qeveria e RMV-së u ka kërkuar ministrive që në afat prej 7 ditësh, deri tek Sekretariati i Përgjithshëm të dorëzojnë listën e ligjeve...

Qeveria e RMV-së u ka kërkuar ministrive që në afat prej 7 ditësh, deri tek Sekretariati i Përgjithshëm të dorëzojnë listën e ligjeve, të cilat përmbajnë dispozita të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Me vendim të Qeverisë është obliguar edhe Ministria e Drejtësisë që në afat prej 7 ditësh të dorëzojë propozimin për themelimin e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve.        
                                                                                                                          
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e djeshme obligoi ministritë që në afat prej 7 ditëve, deri tek Sekretariati i përgjithshëm, përkatësisht deri tek grupet punuese ndër-resorësh, i cili ka për obligim zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të dorëzojnë listë të ligjeve të cilat përmbajnë dispozita të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Po ashtu Qeveria obligoi Ministrinë e Drejtësisë që në afat prej 7 ditëve të propozojë ligj për themelimin e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Njëkohësisht, Qeveria ka obliguar, respektivisht iu sugjeroi të gjitha institucioneve që gjatë përgatitjes së vulave zyrtare ta respektojnë këtë ligj, në rastet ku nuk ka dispozitë për përdorimin e gjuhëve, referencë udhërrëfyese të jetë Ligji për përdorimin e gjuhëve”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha. 
 
Qeveria ka sjellë vendim edhe për formimin e Agjencisë për Siguri Nacionale, e cila ka për qëllim reformimin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
         
“Sollëm tekstin e propozim ligjit për formimin e Agjencisë për Siguri Nacionale. Formimi i këtij institucioni nuk do të jetë më organ nën kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, siç ka qenë DSK, dhe me këtë largohet ndikimi i figurave të caktuara në punën e këtij institucioni, të cilët kanë për obligim vetëm të mbledhin informacione dhe jo të kenë detyra policore. Drejtori i këtij institucioni do të jetë person i cili do ta emërojë kryeministri dhe do të dalë si propozim nga mbledhja e Qeverisë, ndërsa zëvendësin e tij do ta caktojë drejtori i emëruar”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Zëdhënësi i Qeverisë, Boshnjakovski, po ashtu paralajmëroi se së shpejti pritet që në vendkalimin kufitar të Bllacës të funksionojë vetëm një pikë doganore mes Kosovës dhe Maqedonisë.  
 
FITIM KRYEZIU