Maqedoni
Dështoi takimi Zaev - Sela, shkas kompetencat e komunës së Gostivarit
20.02.2019 16:32
Ka dështuar mbajtja e takimit mes kryeministrit Zaev dhe kreut të ASh-së, Ziadin Sela...

Ka dështuar mbajtja e takimit mes kryeministrit Zaev dhe kreut të ASh-së, Ziadin Sela, në të cilin duhej të bisedohej për kandidatin e përbashkët presidencial. Kryeministri Zaev theksoi se anulimi i këtij takimi nga ana e kreut të ASh-së ka ardhur pas vendimit të MASh-it për marrje të kompetencave komunës së Gostivarit në fushën e arsimit.
“Unë u dëgjova me z. Sela në shenjë revolte për heqjen e kompetencave në arsim të kryetarit të Gostivarit, e ka anuluar takimin. Shpresoj se kemi lënë hapësirë për komunikim për shkak se është e vlefshme. Unë e di se sa është e rëndësishme puna në komunë, pasi shumë vite kam qenë në postin e kryetarit të komunës. Duhet pasur parasysh edhe faktin se Gostivari është njëri ndër qytetet dhe komunat më të mëdha të Maqedonisë së Veriut. Unë shpresoj që punët në Gostivar të rregullohen dhe takimin ta mbajmë një ditë tjetër”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev tha se e kupton revoltën e Selës, por se ligji duhet respektuar dhe shtoi se si kryeministër do ftojë një takim të përbashkët midis kryetarit të komunës dhe ministrit të arsimit, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Pak ditë më parë, Zaev për mundësinë e gjetjes së një kandidati të përbashkët u takua edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, kreun e Alternativës, Afrim Gashin, si dhe me kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçin.
ZEKIRIJA MEXHITI
