Maqedoni
Anëtarësimi i RMV-së në NATO, Bullgaria ratifikoi protokollin
20.02.2019 16:47
Shkon në katër numri i shteteve anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar protokollin për anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut...

Kuvendi i Republikës së Bullgarisë unanimisht e ratifikoi Protokollin e Aleancës Veriatlantike për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kryeparlamentarja bullgare, Cveta Karajançeva, theksoi se ratifikimi është akt që tregon përkushtimin për zgjidhjen e problemeve në rajon, por edhe përkushtimin për sigurinë kolektive në rajon dhe Evropë.
“Me ratifikimin, Kuvendi Popullor i Bullgarisë dëshmoi vendosmërinë e shtetit bullgar që të vazhdojë të zgjidh problemet në rajon dhe të kujdeset për sigurinë kolektive, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në të gjithë Evropën”,- deklaroi kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Cveta Karajançeva.
Xhaferi theksoi se shumica parlamentare dhe qeveria aktuale në vend kanë punuar me përkushtim në tejkalimin e kontesteve që e penguan rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, siç është Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës.
“Vitin e kaluar e arritëm Marrëveshjen me Republikën e Greqisë për tejkalimin përfundimtar të dallimeve për emrin. Kontest shumëdekadësh, i cili na mbajti në situatën status kuo, që konsiderohej se asnjëherë nuk do të lëvizë nga ajo pikë. Pas aq vitesh, pritje para dyerve të NATO-s, NATO për ne bëhet realitet, përkatësisht pas nënshkrimit të Protokollit për aderim në Bruksel, filloi faza e ratifikimit të Protokollit për aderim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të NATO-s dhe deri më tani këtë e bënë, krahas Greqisë, Sllovenisë, Shqipërisë, dhe ja sot Bullgaria”,- tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
Dy palët ranë dakord se me tejkalimin e kontesteve dypalëshe, rajoni bëhet më i qetë dhe më i sigurt, dhe në vend të perceptimit të mëhershëm se Ballkani është vend i ndarjeve dhe konfrontimeve, tani Ballkani është vendimtar për zhvillimin e paqes, stabilitetit dhe sovranitetit të shteteve.
SHPËTIM NUREDINI
