Maqedoni

Ademi: Taravarit iu morën kompetencat pasi shkeli ligjin. Komuna e Gostivarit dhe ASh: Marrja e kompetencave, vendim politik

20.02.2019 17:34

Me vlerësimin se ka pasur shkelje ligjore në shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në shkollat e Gostivarit, ministri i arsimit, Arbër Ademi....

Me vlerësimin se ka pasur shkelje ligjore në shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve në shkollat e Gostivarit, ministri i arsimit, Arbër Ademi, ka vendosur që t’ia marrë kompetencat në arsim kreut të Gostivarit, Arben Taravarit. Ademi thotë se nuk bëhet fjalë për refashizëm politik, por për shkelje ligjore, të cilat janë përsëritur gjatë emërimit të drejtorëve edhe herën e parë kur Taravarit iu morën kompetencat.
 
“Për mua si ministër i arsimit më intereson procedura e shkarkimit, emërimit, kushtet që duhet t’i plotësojnë ata që janë të emëruar. Për një periudhë të shkurtër kohore, 3 herë i njëjti drejtor shkarkohet dhe 2 herë i njëjti emërohet, i cili nuk i plotëson kushtet. Më thoni se çfarë duhet të bëjë MASh në situata të tilla. Është mirë që opinioni të njihet me shkeljet që i kanë bërë, fatkeqësisht i ka bërë kryetari i komunës së Gostivarit. Nuk i di arsyet se a me vetëdije apo pa vetëdije ka bërë shkelje të tilla në kontinuitet. Po a kemi shkelje flagrante?  Po kemi, dhe është i vetëdijshëm për shkelje”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Por, nga komuna e Gostivarit thonë se vendimi për marrjen e kompetencave në arsim për të dytën herë nuk është i bazuar në ligj, por është vetëm një vendim politik.
 
“Dokumentacionin e parë e kam që e ka sjellë vet ministri i arsimit, i cili e shpall të pavlershme shkollën e Çegranit për shkak se nuk është shpallur nëpër dy gazetat, sipas ligjit në 3, por vetëm në 2 gazeta zyrtare. Ky është vendimi që e ka sjellë vetë ministri i arsimit dhe ai bie në kundërshtim në atë që e ka potencuar. Është aktvendimi nga kryetari i komunës që e ka bazuar në atë që e ka sjellë ministri nëpër të gjitha shkollat, besojmë që nuk ka asnjë shkelje dhe procedurë ligjore. Kemi Inspektoratin e arsimit që ka dhënë dhe e potencon atë se në Shkollën “Ismail Qemali” dhe në Çegran që asnjë shkelje nuk kemi në bazë të Inspektoratit të arsimit. Edhe Inspektorati shtetëror të njëjtën gjë e ka konstatuar”,- tha përgjegjësja për arsim në komunën e Gostivarit, Aslian Snopçe.
 
Ndaj vendimit të MASh-it ka reaguar edhe dega e Aleancës për Shqiptarët në komunën e Gostivarit.
 
“Nuk mund të udhëhiqet arsimi nga njerëz të cilët në vend të decentralizimit të arsimit, me çdo kusht që të ruajnë përfitimet e tyre politike në pazarllëqet e garës presidenciale, keqpërdorin pozitën e vet dhe ia marrin kompetencat për të dytën herë kreut të komunës së Gostivarit”,- tha Besa Muharemi nga ASh.
                                                       
Por, në reagimin e degës së BDI-së në Gostivar theksojnë se Taravari publikisht pranoi se në rastin e parë të ndërrimit të drejtorëve kishte pasur lëshime ligjore nga ana e tij. Pas 9 muajve kompetencat iu kthyen dhe Taravari përsëriti gabimet e njëjta që publikisht pranoi se i kishte bërë.
 
“Kujtojmë opinionin që në ditën që komunës së Gostivarit iu rikthyen kompetencat në arsim, dega e BDI-së në Gostivar i apeloi Taravarit publikisht që të vepronte konform ligjit, me qëllim që situata të mos përsëritej më. Për habi, Taravari me vetëdije të plotë sërish veproi në kundërshtim me ligjin. Habit fakti që përse Taravari e përsëriti veprën e tij. E pyesim publikisht nëse këtë e ka bërë nga paaftësia e tij për të menaxhuar me shkollat dhe për të iu shmangur obligimit që ka si kryetar komune”,- theksojnë mes tjerash nga dega e BDI-së në Gostivar. 
 
REJHANE BUSHI METAJ