Maqedoni
Kandidati konsensual, Sela: Të zgjidhet në parlament me 2/3 e votave
20.02.2019 18:02
Aleanca për Shqiptarët, akoma pa qëndrim se si do të veprojë në zgjedhjet presidenciale, vetëm apo e bashkuar me opozitën shqiptare....

Kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela, në emisionin debativ “Argument” në TVM2, sa i përket kandidatit konsensual me partitë maqedonase, thotë se kandidati më i mirë konsensual që do të përfaqësonte edhe interesat e shqiptarëve, do të duhet të zgjidhet në parlament.
“Aleanca për Shqiptarët e ka kërkuar gjatë debatit që zhvillohej edhe për ndryshimet kushtetuese, ve¬ç tjerave, edhe zgjedhjen e presidentit në parlament. E atëherë do të kishte kuptim në njëfarë forme konsensualiteti, sepse zgjedhja e tij me dy të tretat e votave në parlament imponon nevojën e negociatave ndërmjet subjekteve politike dhe në këtë formë pastaj do të mbrohej akoma më mirë interesi i gjithë qytetarëve”,- deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Ndërkaq, sa i përket ofertës të liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, për kandidat të përbashkët shqiptar, Sela konsideron se kjo do të duhet të diskutohet në tryezën e përbashkët të partive politike shqiptare.
“Këto gjëra duhet bërë në tryezë të përbashkët të partive politike. Çdo formë tjetër është manipulative dhe do të marrë përgjigjen e duhur. Akoma nuk janë zgjedhur kandidatët, tryeza e përbashkët e partive ekziston dhe në qoftë se zoti Ali Ahmeti ka ndonjë propozim, le ta ftojë tryezën e përbashkët të partive politike, aty do ta ketë edhe qëndrimin edhe të Aleancës për Shqiptarët”,- tha Sela.
Aleanca për Shqiptarët nuk heq dorë edhe nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë që është duke punuar në përgatitjen edhe të programit për qeverisje, ku në fokus kanë interesin dhe mirëqenien e qytetarit shqiptar.
MERAL ISMAILI
