Botë

Protesta e opozitës, Basha: Beteja për t’i kthyer parlamentin popullit

21.02.2019 12:46

Me mijëra persona janë grumbulluar para Parlamentit të Shqipërisë, i cili ka anuluar seancën plenare për të shmangur dhunën.....

Opozita në Shqipëri po kërkon qeveri transitore dhe zgjedhje të parakohshme. Ata thonë se kryeministri, Edi Rama, ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka thënë se sot është një ditë historike dhe se mandatet do t’i kthehen popullit.
 
“Kjo është dita e parë e betejës për t’ia rikthyer qytetarëve parlamentin dhe qytetarëve. Kjo e ardhme nuk do të jetë e kriminelëve. E Ramës me shokë, e oligarkëve që po vjedhin shqiptarët. Sot bëjmë realitet djegien e mandateve. Që të mos jemi fasadë e një Kuvendi të kapur nga krimi. Së bashku të hapim derën që do ta çojmë para Europës. E sotmja, një ditë shprese”,- u shpreh Lulzim Basha. 
 
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bëjnë apel pjesëmarrësve në protestë që të shmangin dhunën. “Shtetet e Bashkuara nxisin të gjithë pjesëmarrësit në protestën e sotme që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjnë thirrje qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”,- thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së.
 
Reaguan edhe përfaqësuesja e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, si dhe komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn.
 
“Ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për të demonstruar paqësisht, si një tipar thelbësor dhe vlerë bazë e demokracisë, por ne dënojmë fuqishëm çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bën thirrje për dhunë”,- thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, si dhe komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn. Sipas tyre, Bashkimi Europian pret nga të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar që të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse.