Maqedoni

VMRO-DPMNE dhe LSDM, përplasje për të akuzuarit e “27 prillit”

21.02.2019 17:28

Pasi Gjykata e Apelit dërgoi kërkesën deri tek kryetari i Parlamentit....

Pasi Gjykata e Apelit dërgoi kërkesën deri tek kryetari i Parlamentit, që të vendoset në procedurë marrja e imunitetit të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovskit, e njëjta është kthyer mbrapsht, sepse sipas kabinetit të kryetarit të Kuvendit, ka pasur gabime në nenet ligjore në bazë të cilës kërkohet hapja e mandatit të deputetit. 
 
“Kryetari i Kuvendit e ka kthyer letrën për shkak të gabimit në nenet ligjore me të cilat kërkohet heqja e imunitetit. Në momentin kur të vijë letra tjetër, ne jemi në gatshëm të veprojmë në bazë të afateve të dhëna”,- u tha nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit.
 
Nga Gjykata konfirmojnë se është bërë një gabim teknik dhe është dërguar kërkesa e re në Kuvend. 
 
Ndërkohë, VMRO-DPMNE, akuzat ndaj ish zyrtarëve të saj, i ka vlerësuar si sulm mbi opozitën dhe sulm mbi ata që nuk mendojnë njëjtë. Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevskit, vetë fakti se ky është sulmi i 7 me radhë mbi deputetët e opozitës për t’ju marrë mandati i deputetit, tregon qartë se ky është sulm i menduar mirë, për ta frikësuar zërin opozitar dhe të njëjtit kërkuan që të emërohet prokuror publik që do ta propozonte opozita.
 
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe i Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, ashpër akuzon procesin e montuar politik, ku thyhen ligjet, ngrihet procedura hetimore dhe procese ku merren mandatet e deputetëve. Vetëm brenda 7 muajve në këtë Kuvend janë ngritë procedura për marrjen e mandatit të disa deputetëve, e për çudi të gjithë deputetët janë nga radhët e opozitës dhe kjo tregon se kjo është një betejë e hapur ndaj opozitës. E gjithë kjo po ndodhë në prag të zgjedhjeve presidenciale, ku dëshirojnë të tregojnë forcën dhe ta frikësojnë opozitën. Ne kërkojmë prokuror publik me propozim të opozitës, i cili realisht do t’i shqyrtonte të gjitha aferat kriminale dhe korruptive, deri sa kjo nuk ndodhë, ne nuk do t’i përkrahim proceset sistemore dhe ligjet, dhe punën në Komisionin e Zhan Mones”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
I menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i LSDM-së. Jovan Mitrevski nga LSDM ka akuzuar partinë opozitare se me propozimin që të nominojnë prokuror publik, edhe njëherë dëshmojnë se dëshirojnë të ndikojnë në punën e gjyqësorit. 
 
“Kërkesa e tyre është edhe një dëshmi se ata dëshirojnë të kenë kontroll dhe përmes presionit politik dëshirojnë të ndikojnë në punën e prokurorisë dhe gjykatës. Po ashtu është e pandërgjegjshme dhe në kundërshtim me interesat shtetërore që VMRO-DPMNE ta bojkotojë punën në ligjet të cilat kanë për qëllim reformimin e shtetit, në prag të fillimit të bisedimeve me BE-në. Janë ligje sistemore të cilat janë harmonizuar, por një pjesë edhe janë miratuar sipas propozimit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe përgjegjësia për progresin tonë është e përbashkët. Përgjegjësi për ngjarjet e “27 prillit” duhet të ketë. Përmes një procesi transparent, koha në përzierje e vendimeve të gjyqësorit ka përfunduar”,- tha deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
Sipas procedurave, kryetari i Kuvendit, pasi ta marrë kërkesën për marrjen e imunitetit nga gjykata, i propozon Komisionit për Punë Mandatare dhe Imunitet që ta shqyrtojnë dhe të vendosin, dhe vendimin duhet t’ia bëjnë me dije kryetarit të Kuvendit, i cili më së voni tri ditë pas marrjes së vendimit duhet ta hedhë në seancë parlamentare për shqyrtim. Vendimi për marrjen e imunitetit sillet me shumicë të thjeshtë.   
 
FITIM KRYEZIU