KUVENDI I MAQEDONISË

Ndryshimet kushtetuese nesër para deputetëve

24.08.2014 15:45

Ditën e hënë, deputetët i rikthehen punës në Kuvend pas pushimeve të përgjithshme vjetore......

Projekt amendamentet për ndryshimet kushtetuese janë sfida e parë, me të cilat do të përballen deputetët që ditën e hënë, kur edhe fillon shqyrtimi i tyre nëpër komisionet përkatëse. 

Qeveria ka dorëzuar në Kuvend tekstin e projekt amendamenteve 33, 34,35,36,37,38 dhe 39, që më 25 korrik.

Me projekt amendamentin 33 Qeveria propozon rregullimin e martesës si bashkësi jetësore ekskluzivisht mes vetëm një burri dhe vetëm një gruaje.

Edhe bashkësitë jashtëmartesore të regjistruara dhe të gjitha format e tjera të partneritetit jetësor janë bashkësi jetësore ekskluzivisht mes vetëm një burri dhe vetëm një gruaje.

Me projekt amendamentin 34 Qeveria propozon themelimin e një zone financiare, me ligj.

Në zonë parashihet që të zbatohet rregullativë e posacme juridike përvec normave të së drejtës penale të Republikës së Maqedonisë. Sipas analistëve pikërisht kjo pikë ëshë më kontestuesja, madje edhe nisma për ndryshime kushtetuese është marë për shkak të këtij ndryshimi.

“Unë kam mendimin tim për ndryshimet kushtetuese. Unë mendoj se fokusi i vërtetë janë zonat e lira financiare për të cilat Unioni Evropian nuk ka shumë simpati të madhe” – deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.

Me projekt amendamentin 35 parashihet ndryshimi i emrit të Bankës Popullore të Maqedonisë në “Banka e Republikës së Maqedonisë”.

Me projekt amendamentin 36 Qeveria parasheh plotësimin e pjesës së dytë, pika e katërt, e Kushtetutës e që ka të bëjë me pavarësimin e Entit shtetëror për revision. Më shumë debat pritet të ngjallë edhe projekt amendamenti 37, me të cilin Qeveria propozon përcaktimin e tavanit të borxhit publik në 60% nga BPV dhe atë të deficitit buxhetor në 3%.  

“Do të duhej të prisnim një vjeshtë jashtëzakonisht aktive, të gjallë në aspektin e debateve të lidhura me të gjitha këto cështje, por mbetet të shihet se a do të realizohet ky debat i logjikshëm dhe i pritshëm nëse kemi parasysh se kohëve të fundit debatet mungojnë qoftë se nuk nxiten nga njëra anë, nuk mundësohen nga institucionet, sic është rasti me kushtetutën ku debati publik është tejet i shkurtër dhe do të duhet të zhvillohet në periudhën e pushimeve verore” – tha Ibrahim Memeti, analist politik .

Me arsyetimin për pavarësim më të madh të gjyqësorit qeveria me projekt amendamentin 38 propozon edhe ridefinimin e përbërjes së Këshillit Gjyqësor të RM-së, përkatësisht përjashtimin e ministrit të drejtësisë dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, të cilët sipas kushtetutës në fuqi janë anëtarë sipas funksionit. Shumë diskutim pritet të ngjallë edhe projekt/amendamenti 39, i cili parasheh vënien e institucionet ankesë kushtetuese.

Ndryshimet e cekura sipas Qeverisë propozohen për arsye të harmonizimit me standard ndërkombëtare që janë ndërmarë në disa vende evropiane si dhe plotësimi i rekomnadimeve të GREKO-s. (Shpëtim Nuredini, TVM2)