Maqedoni
Vjenë, takimi i ministrave të Ballkanit perëndimor, Osmani: Ballkan i sigurt, Europë e sigurt
21.02.2019 17:41
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, doli me porosi të qartë nga Vjena se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE....

Në mbledhjen e ministrave për çështje europiane të Ballkanit perëndimor, Osmani tha se vetëm një Ballkan i qëndrueshëm dhe i sigurt është garanci e fortë për një Europë të qëndrueshme dhe të sigurt. Osmani, pasi theksoi mbylljen e kontesteve të hapura të Maqedonisë së Veriut me fqinjët, tha se këtë shembull do të duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia.
“E ardhmja e Europës nuk është rrumbullakuar pa u bërë pjesë e saj edhe e Ballkanit Perëndimor, në aspektin gjeografik por edhe politik. Kemi një realitet të ri në Ballkan, Maqedoninë e Veriut, shtet ky që para 20 muajve ishte vend tipik ballkanik me çështje të pazgjidhura me fqinjët, me kërcënime serioze ndaj stabilitetit. Tani me Marrëveshjen e Prespës dhe Ohrit, Marrëveshja me Bullgarinë dhe agjenda reformuese, vendi u bë rrëfim i suksesshëm europian dhe anëtare e 30 e NATO-s. Shpresojmë se ky sukses do të jetë inspirim për Serbinë por edhe Kosovën”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Ndërkaq, nikoqiri i takimit, ministri federal për çështje europiane të Austrisë, Gernot Blumel, tha se e rëndësishme është që vendet e Ballkanit, përfshi këtu Maqedoninë e Veriut, të kenë besim në procesin e zgjerimit të Unionit.
“BE dhe anëtaret e saj do të duhet t’u përmbahen rregullave, të kihet besim në procesin e zgjerimit. Ky do të duhet të jetë një proces i vazhdueshëm me një prioritet të lartë dhe prezencën e Unionit në rajon. Dua të përgëzoj Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë që zgjodhën kontestin shumëvjeçar. Besimi është i rëndësishëm sikurse për Shqipërinë por edhe për Maqedoninë, që të nisin bisedimet në qershor”,- tha ministri për çështje europiane të Austrisë, Gernot Blumel.
Takimi i ministrave të Ballkanit perëndimor u cilësua si një mundësi e mirë që të ndahen idetë, vizionet dhe pritjet sa i takon zhvillimit të BE-së në të ardhmen.
MERAL ISMAILI
