Maqedoni

Presidencialet, Zaev takoi Kasamin. Kasami: Mbështetje të kushtëzuar ose opsionet tona

21.02.2019 17:58

Lëvizja Besa do të kushtëzojë mbështetjen e kandidatit të përbashkët presidencial...

Lëvizja Besa do të kushtëzojë mbështetjen e kandidatit të përbashkët presidencial me zbatimin e Marrëveshjes së arritur me Qeverinë për ndryshimet kushtetuese dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, në të kundërtën nuk përjashton mundësinë që opozita shqiptare të garojë e vetme në zgjedhjet presidenciale.
 
Gjithsesi, vendimin do ta marrin organet partiake, pasi të shqyrtojnë analizat që Kasami dhe Zaev kanë këmbyer gjatë takimit të sotëm. Procesi për një kandidat të përbashkët është me rëndësi, por më me rëndësi është vetë kandidati, theksoi Kasami.  
 
“Ne si Lëvizje Besa do të përkrahim një kandidat i cili do të qëndrojë pas Marrëveshjes të cilën e realizuam me Qeverinë. Dhe, gjithë ato çështje por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, presidenti i ardhshëm duhet të ketë një qasje pozitive dhe të kontribuojë në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike. U bisedua edhe për emra konkretë. Ne si Lëvizje Besa, pasi të vendosim në organet e partisë, do të dalim me qëndrim se cilin kandidat do të kishim përkrahur nga ato kandidatë që janë në diskutim, por më konkretisht edhe opsione të tjera që kemi ne si parti opozitare me partitë e tjera opozitare”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, përjashtoi mundësinë për kushtëzime. Sipas tij, në takimin me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin, janë këmbyer analiza për emra konkretë dhe ai ka vazhduar përpjekjen për qasje dhe kandidat të përbashkët presidencial mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe opozitës shqiptare. Sipas tij, Maqedonisë së Veriut i duhet president që unifikon dhe ndihmon procesin eurointegrues të vendit.   
 
“Nuk ka kushte por analiza, të cilat thanë se do t’i bëjnë si parti opozitare, çfarë është më mirë për to si parti opozitare, por mbi të gjitha do të ndjekin interesin e qytetarëve. Analizat e këtilla fillimisht do të dëshmojnë nëse ka personalitete në shtet pas të cilëve do të qëndronin qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, përfshirë edhe mbështetësit e tyre si parti, por nuk përjashtuan mundësinë që në zgjedhje të garojnë vetë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Vendimin për një kandidat të përbashkët presidencial, partitë duhet të marrin para kongresit të LSDM-së, tha Zaev. Ai paralajmëroi një përpjekje të dytë për takim me kreun e ASh-së, Ziadin Selën, pas anulimit të takimit, një ditë më parë, për shkak të vendimit të ministrit të arsimit që t’ia marrë kompetencat në arsimit kryetarit të Gostivarit, komunë që drejtohet nga ASh-ja.         
 
SHPËTIM NUREDINI