Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, Mustafa: Ta kultivojmë gjuhën shqipe
21.02.2019 18:11
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli....

Me anë të gjuhës shprehet shpirti dhe kultura e një populli. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folmja e saj në jetën e përditshme, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtarëve të atij populli dhe të asaj shoqërie.
Duke u nisur nga kjo, që nga viti 1999 UNESCO shpalli 21 shkurtin ditë ndërkombëtare të gjuhës amtare, prandaj çdo vit në këtë ditë gjithandej nëpër botë organizohen manifestime ndërkombëtare, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve amtare. Në vitin 2007 e njëjta ditë është pranuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.
“Duke e pasur parasysh se në botë sot po vdesin gati për çdo vit nga 100 gjuhë, është e arsyeshme ajo që e ka sjellë UNESKO-ja dhe Asambleja e ka aprovuar, që kjo ditë të jetë si një ditë ku të gjithë ato gjuhë që janë në zhdukje të mund të paktën të kujtohen, të rikujtohen dhe dikush nga ato ta mbledhë dhe të ekzistojë si një dokument se në rruzullin tokësor ekzistojnë shumë gjuhë”,- tha albanologu, Havzi Mustafa.
Gjuha jonë shqipe ka një traditë të lashtë e të pasur. Formula e Pagëzimit shënon fillim e shkrimit shqip, por jo edhe të folmes sonë. Kjo ka një lashtësi shumë më të hershme.
Albanologu, Havzi Mustafa, thotë se gjuha shqipe nuk ka rrezik të zhduket për arsye se ne para 110 vjetëve i kemi përzgjedhur shkronjat tona të arta. Në vitin 1972 kemi kodifikuar gjuhën standarde shqipe dhe tani ka një literaturë të begatshme.
“Po brengosem në këtë kohë të tanishme për arsye se gjuhës amtare nuk i japim rëndësi shumë të madhe, ka ndikime të ndryshme që vijnë nga gjuhët që janë me ndikim të madh, ne edhe për hir të modës përdorim edhe shumë fjalë të huaja për të treguar se kush jemi, por gjuha shqipe është aq e pasur, saqë nuk ka nevojë të mund të hyjë ndonjë fjalë e gjuhëve të huaja, por ne duhet gjithsesi të angazhohemi që ajo të kultivohet, të shkruhet, të flitet ashtu siç i ka hije dhe siç e ka peshën gjuha amtare, gjuha shqipe”,- theksoi albanologu, Havzi Mustafa.
Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot do të organizohen në suaza botërore. Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha "ajake", të cilën e foli një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
