Maqedoni

Zhbogar: me projekte, mund të fitojnë mjete nga BE

21.02.2019 18:46

Ambasadori i BE-së, Samoel Zhbogar, vizitoi Gjimnazin “Kirill Pejçinoviç”, ku ka prezantuar format e aplikimit për të fituar mjetet nga fondet e BE-së...

Komuna e Tetovës nga fondet evropiane ka fituar projektin për pastrimin e ujërave të zeza dhe sipas kryetares Arifit, shumë shpejt pritet edhe realizimi i projektit.
 
“Në fakt në dy gjimnazet e  Tetovës sot kishim aktivitete që lidheshin me BE-në. Biseduam për aktivitetet që janë në realizim e sipër në qytetin e Tetovës. Faleminderit për përkrahjen e madhe që kemi pasur në projekte të ndryshme dhe veçanërisht për projektin për pastrimin e ujërave të zeza, që tanimë i ka mbyllur të gjitha procedurat dhe mund të thuhet që do fillojë me realizimin e vet”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Ambasadori Zhbogar theksoi se me kënaqësi i ka dëgjuar gjimnazistët e Tetovës dhe ftoi që të njëjtën ta bëjnë edhe liderët politikë.
 
“Unë isha në Gjimnazin “Kirill Pejçinoviç” dhe takova nxënësit atje, me të vërtetë isha i mahnitur nga ajo çka kam parë dhe do të doja që edhe liderët e politikës të ishin sot prezentë me mua atje dhe të merrnin mësim nga ta. Ne si BE do t’i dëgjojmë ata dhe besoj që edhe vendi i tyre do t’i dëgjojë. Jemi në përfundim të projektit për stacionin e filtrimit të ujërave të zeza dhe gjithashtu bashkëbiseduam edhe për projektet e tjera për komunën”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Ambasadori Zhbogar njëherit sqaroi se mjetet e BE-së mund të shfrytëzohen nga komunat që kanë projekte dhe aplikojnë te fondet evropiane.
 
VISAR SADIKI