Maqedoni
Incidenti në burgun e Shutkës, Zaev kërkon dorëheqjen e drejtorit të burgut
22.02.2019 11:21
Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të burgut të Shutkës...

Kryeministri, Zoran Zaev, ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të burgut të Shutkës pas incidentit të djeshëm që ka ndodhur mes të burgosurve dhe dy ish ministrave të paraburgosur. Zaev ka thënë se drejtori i Burgut nuk e ka kryer detyrën deri në fund, sepse ka lejuar që incidenti të përsëritet dy herë.
“Kam biseduar me drejtorin e Burgut dhe ai më njoftoi për rrjedhjen e incidentit. Sipas tij, i pari që ka nxitur incidentin verbal është i paraburgosuri, Mile Janakievski, gjë që ka shkaktuar edhe incident mes të burgosurit dhe atij dy herë me radhë. Kjo nuk guxon të tolerohet edhe përkundër faktit që hetimi do të dëshmojë se kush e ka nxitur incidentin. Në burg secili duhet ta kryejë detyrën, që të mos shkaktohen incidente, qofshin të qëllimshme apo të paqëllimshme, prandaj pres që më së voni deri të hënën, drejtori i burgut të dorëzojë dorëheqjen e tij deri në qeveri”,- ka deklaruar kryeministri i vendit, Zoran Zaev.
Ministria e Drejtësisë pret që rasti të zbardhet deri në fund, me ç’rast thuhet se për këtë duhet të kyçet edhe Avokati i Popullit.
Reagimet e sotme vijnë një ditë pasi ish ministrat Janakievski dhe Spiro Ristovski, janë sulmuar fizikisht në burgun hetues të Shutkës. Nga burgi i Shutkës njoftojnë se “një person gjatë shëtitjes së rregullt ka ardhur deri te një incident verbal i shkaktuar nga personi S. R. ndaj personit L. K., i cili më vonë ka sulmuar edhe fizikisht atë, e që rrahja është ndaluar menjëherë nga shërbimi i burgut. Më vonë ka ndodhur sërish incident verbal mes një të burgosuri me inicialet E. K dhe M. E., i cili më vonë ka sulmuar dhe që është ndaluar nga shërbimet e burgut”,- thonë nga burgu i Shuto Orizares.
Për të dy incidentet janë marrë edhe deklarata të shkruara nga dëshmitarë. Edhe gjykata është njoftuar për këtë rast. Pas incidentit, për personat S. R. dhe M. J. menjëherë është siguruar kontroll dhe kujdes nga mjeku i entit, pas çka personi S. R. nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore shtesë, ndërsa personi M. J. është ankuar për dhimbje dhe është dërguar në Spitalin “8 shtatori”. Drejtori i Spitalit “8 shtatori” mbrëmë ka deklaruar se dy të arrestuarit, që janë në paraburgim, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të njëjtit janë kthyer në Burgun e Shutkës.
