Maqedoni

Protesta e banorëve: Të ndalet katastrofa ekologjike në fshatin Konjare

22.02.2019 16:29

Banorët e fshatit Konjare të Mesme të Shkupit dolën sërish në rrugë, kësaj radhe në numër më të madh, për të kundërshtuar gërmimet përgjatë lumit Pçinja në këtë fshat....

Ata të revoltuar bllokuan qendrën e komunës së Petrovecit dhe kërkojnë nga autoritetet ndërprerjen e menjëhershme të gërmimeve për shkak se me pastrimin e shtratit të lumit, përveç se rrezikohen të mbjellat e tyre, është ulur edhe niveli i ujit  në puset e tyre, burime nga të cilat furnizohen me ujë për pije.
 
“Ne si qytetarë të RMV-së, kërkojmë të ndalohen gërmimet në lumin Pçinja si dhe përreth lumit. Në fushat tona të ndërpriten gërmimet, sepse ne ekzistencën e sigurojmë nga frytet e tokës. Kërkojmë menjëherë të merren masa, pasi është problem shumëvjeçar”,- tha një protestues. 
 
“Iu drejtohem institucioneve të shtetit, në gërmimet përreth lumit nuk ka vetëm katastrofë ekologjike, por ka gjenocid ndaj natyrës. Ky tubim këtu është tubim i 9 vendbanimeve dhe është tubim multietnik dhe nuk është as politik e as për ndonjë interes tjetër”,- theksoi një protestues. 
 
“Sot kemi dalë që të çojmë një mesazh deri tek qeveria, që të tregojmë se këtu nuk ka politikë, por këtu tregojmë hallet e fshatrave. Kërkesat tona janë që të ndalohet gropimi i lumit Pçinja, sepse këtu është ekzistenca e banorëve të vendit tonë, prej të cilit lum edhe ujin për pije e shfrytëzojmë dhe puset kanë filluar edhe të shteren”,- u shpreh një protestues. 
 
Nga kompania e cila e kanë fituar tenderin për pastrimin e shtratit të lumit Pçinja, thonë se nuk bëhet fjalë për katastrofë ekologjike, por për projekt të qeverisë dhe shoqatës aksionare për “Ekonomizimin e ujërave”, e cila ka për detyrë të kthejë gjendjen e mëhershme të shtratit dhe të parandalojë vërshime në të ardhmen.  Nga Ministria e Bujqësisë ishin të pakapshëm për t’u përgjigjur në lidhje me kërkesat e banorëve, ndërsa banorët thonë nëse nuk ndërmerren veprime, protestat do t’i vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave.
 
ZEKIRIJA MEXHITI