Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, Kostadinov: ka vullnet te të gjitha partitë. VMRO: LSDM kërkon kandidat konsensual nga frika. Siljanoska fillon grumbullimin e nënshkrimeve

22.02.2019 17:42

Partitë politike vazhdojnë aktivitetet parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit...

LSDM është në kërkim të aleatëve për të debutuar me një kandidat të përbashkët, që do të garantonte fitore. Ka vullnet të mirë, thotë zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.   
 
“Bisedimet po vazhdojnë. E dini se Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së ka autorizuar kryetarin e partisë, Zoran Zaev, sekretarin e përgjithshëm, Aleksandar Kiracovskin, dhe sekretarin organizativ, Mile Zeçeviç. Trupa të tillë sipas të gjitha gjasave ka edhe në partitë e tjera. Është mirë që ka vullnet te të gjitha partitë politike në koalicion dhe partitë opozitare në bllokun shqiptar për gjetjen e zgjidhjes së mundshme për kandidat të përbashkët për zgjedhjet presidenciale”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Në ndërkohë, VMRO-DPMNE konsideron se LSDM i frikohet dështimit në zgjedhjet presidenciale, prandaj angazhohet për një kandidat të përbashkët me partnerët e koalicionit qeverisës.
 
“LSDM ka frikë nga zgjedhjet, prandaj kërkon kandidat konsensual me BDI-në. Këtë nuk e bën me qëllimin që të bashkojë popullin maqedonas dhe atë shqiptar, por e bën për të fshehur humbjen që do ta përjetojë nga VMRO-DPMNE që në rrethin e parë”,- thotë anëtari i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Nelloski.
 
Ndërkaq, kandidatja zyrtare e VMRO-DPMNE-së për president, Gordana Siljanovska, për të argumentuar qëndrimin se është kandidate mbipartiake, ka filluar grumbullimin e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve, siç premtoi në Kongresin e VMRO-DPMNE-së.   
 
“Ju njoftoj se formalisht informova KShZ-në për fillimin e procesit të grumbullimit të së paku 10 mijë nënshkrime për kandidaturën presidenciale. Që nesër, të gjithë ju që mendoni se është koha që Maqedonia të fillojë ndryshime thelbësore për më mirë, në 46 vende në mbarë Maqedoninë do të mund të jepni nënshkrimin tuaj”,- njofton kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanoska.
 
SHPËTIM NUREDINI