Taravari, Gostivari do të bëjë një investim në Llaskarcë
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari ka vizituar Llaskarcën....

Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari ka vizituar Llaskarcën dhe vendin e aksidentit tragjik të 13 shkurtit ku si pasojë e rrokullisjes së autobusit humbën jetën 15 persona dhe 38 të tjerë u lënduan. Kjo ishte një vizitë kthyese, pasi një ditë më parë Gostivarin e kishin viziutuar përfaqësues të fshatit Llaskarcë, të cilët natën kritike të parët u dolën në ndihmë të aksidentuarve.
“Ata dëshmuan se si praktikisht duhet të veproj një njeri i vërtetë. Treguan solidaritet, humanizëm dhe sot vendosa vetë të jem në vend të ndarjes, të bashkëbisedojë dhe falenderohem në emër të gjithë gostivarasve për ndihmën e dhënë” – tha kryetari i Gostsivarit, Arben Taravari.
Në shenjë falenderimi Taravari paralajmëroi një investim të komunës së Gostivarit në fshatin Llaskarcë.
“Si komunë e Gostivarit në shenjë respekti duam të bëjmë një punë e cila do e lidh komunën e Gostivarit me Llaskarcën, do të ulemi të bisedojmë dhe ne një gjë do të investojmë këtu” – u shpreh Taravari.
Dhimbjen që e kaploi Gostivarin për jetët e humbura e ndajmë së bashku, thonë banorët e Llaskarcës. Për të ua larguar traumën në Llaskarcë ka qëndruar edhe një ekip psikologësh.
“Dhimbja është e Gostivarit por edhe ne e kemi prëjetuar një dhimbje të madhe si fshatar të Llaskarcës” – tha Kryetari i BL – Llaskarcë, Samet Misini.
“Fshatarët kur mblidhen në kafene në mbrëmje të gjithë e bisedojnë të njejtën temë, dhe nuk mund të harrohet ajo ngjarje tragjike që ndodhi. Ishin edhe psikolog të një institucioni dje diku tre orë kanë qenë bashkë me ne, u munduan të na ndihmojnë se si ta largojmë atë traumë” – deklaroi Semir Feta, banor i Llaskarcës.
Në vendin e aksidentit ende kanë mbetur gjurmë, megjithse autobusi i aksidentuar është dërguar për analizë. Prokuroria vazhdon hetimet për rastin, ndërsa të lënduarit vazhdojnë kurimin, disa në spitale ndërsa të tjerët në kurim shtëpiak. (Naim Sinani, TVM2)
