Nepotizmi, kritika të ndërsjella mes LSDM-së dhe VMRO-së
LSDM thotë se pas presionit të opinionit për punësimet partiake....

LSDM thotë se pas presionit të opinionit për punësimet partiake, familjarët e zyrtarëve të saj janë larguar vullnetarisht nga puna, ndërsa ftoi edhe zyrtarët e opozitës të ndjekin shembullin e tyre. Zëdhënësi socialdemokrat Kostadinov tha se për arsye morale nga puna kanë hequr dorë nëna e tij, gjyshi i deputetit Kiracovski, djali i deputeti Misovski, vëllai dhe bashkëshorti i deputetes Mira Stojçevska. Ndërsa duke e quajtur lider të nepotizmit e ftoi këreun e VMRO-së, Hristijan Mickoski që të tërheqë punësimet e bëra nga vetë ai në kohën kur ishte drejtor i Kompanisë energjetike ELEM.
“Në ‘Elem Tours’ është i punësuar Goran Manasievski, kushëriri i parë i Hristijan Mickoskit. Përmes tij, u punësua edhe Nikolla Shajnovski, bashkëshorti i sekretares së partisë së Mickoskit, por edhe Kosana Mazneva, e cila është pjesë e kabinetit të partisë së tij. Paramendojeni, bashkëshortja e Mickoskit ishte punësuar në Gjimnazin “Orce NIkollov” në Shkup. Madje edhe vetë Mickoski është shembull i nepotizmit, pasi që ishte asistent i babait të tij në Fakultetin e Makinerisë, Ivan Mickoski” – tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Nga VMRO-DPMNE kundërpërgjigjen se kërkesa e tyre për të tërhequr punësimet është de fokusim nga situata aktuale. Partia opozitare publikoi raste të reja të nepotizmit në Komunën e Makedonski Brodit.
“Vëllai i deputetes së LSDM-së Aneta Dimovska-Simeska, nga pozicioni stomatolog në Ordinancë private shëndetësore, tani është emëruar drejtor në Shtëpinë e shëndetit në Makedonski Brod. Por, kjo nuk është e tëra, i njëjti vëlla Zharko Simeski ka hapur shpallje punësimi. A është e vërtetë që në atë shpallje vetë është paraqitur dhe është vetëpunësuar? Për të qenë më ironike mori specializimin, kurse Ordinanca e tij private u bë koncesioner i hapësirave në Shtëpinë e shëndetit ku është drejtor” – u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Me nepotizmin do të merret edhe Komisioni Kundër Korrupsionit, i cili ka paralajmëruar shqyrtimin e procedurave për punësimin e të afërmve të zyrtarëve. Ministri i adminsitratës Damjan Mançevski thotë se do të respektojë vendimin që do ta merr komisioni anti korrupcion.
“Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit, këtu kemi të bëjmë me shkeljen e normave etike. Ne themi se dikush duhet të tërhiqet, nëse do të tërhiqet personin që është i punësuar apo të tërhiqet funksionari. Nuk është një vendim i lehtë, bëhet fjalë për vendime familjare. Por, nga ana tjetër ne nuk mund t’i vëmë të gjithë në të njëjtën shportë, pasi ka raste kur bëhet fjalë për kuadër deficitar” – tha Ministri i Administratës, Damjan Mançevski.
Apel për tërheqjen vullnetare të nga vendet e punës ka bërë edhe Kryeministri Zoran Zaev. (Besim Abdullahu, TVM2)
