Imuniteti i Veljanovskit, Llaskoska: Hiqni imunitetin gjithë deputetëve të VMRO-së
Në komisionin parlamentar për çështje të mandatit dhe imunitetit....

Në komisionin parlamentar për çështje të mandatit dhe imunitetit u dëgjuan qëndrime ndryshe dhe akuza të ndërsjella për heqjen e imunitetit të ish kryeparlmentarit, Trajko Veljanovski.
Opozita në mbrojtje të kolegut të tyre, tha se heqja e imunitetit kërkohet që të mbulohen skandalet e pushtetit aktual. Deputetja Bllagica Llaskoska madje kërkoi heqjen e imunitetit të gjithë deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
“Mos u mundoni, hiqni imunitetin gjithë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, pasiqë qëllimi është ky që në periudhën parazgjedhore në media të shkruhet vetëm për imunitete të hequra të deputetëve të opozitës gjegjësisht të atyre që mendojnë ndryshe nga pushteti me qëllim që të fshihen skandalet e përditshme që kjo qeveri po i bënë.” – tha Bllagica Llaskoska nga rradhët e VMRO-DPMNE.
BOGOEVSKI: TË GJITHË TË BARABARTË PARA LIGJIT
Reagoi kryetari i komisionit i cili tha se rregullorja nuk parashikon heqje kolektive të imunitetit, ndërkaq rikujtoi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit pa marrë parasysh funksionit që ushtrojmë.
“Të gjithë po flisni me argumentin se zoti Veljanovski ka qenë dhjetë vite kryetar kuvendi dhe njeriu i dytë në shtet. Nuk mund ta shfrytëzoni këtë si argument për mbajtjen e imunitetit. Kërkojë falje por kjo nuk mban. T’ju rikujtoj se të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe përkundrazi një person që për dhjetë vite ka ushtruar një detyrë të tillë do të duhet të mbahet në standard më të lartë para ligjeve. T’ju rikujtoj se kemi ish kryeministrin i cili është në arrati, ashtuqë lartësia e funksionit nuk është kurfarë indikatori për mundësinë e arratisjes.” – tha Kryetari i Komisionit për çështje të mandatit dhe imunitetit, Pavle Bogoevski.
VANÇEVA: TË LIHET GJYQËSORI TË ZBARDH RASTIN
Nga LSDM pohuan se heqja e imunitetit do ti hap rrugën organeve të drejtësisë në zbardhjen e dyshimeve ndaj Veljanovskit.
“Unë nuk them dhe nuk mund ta dijë se cila është shkalla e përgjegjësisë e kolegut Trajko Veljanovski, por unë dua të kem besim në sistemin gjyqësor, në ndarjen e pushteteve dhe përderisa prokuroria ka ngritur akuzë për kolegun atëherë ka fakte që mbajnë.” – tha Snezhana Kaleska Vançeva nga rradhët e LSDM-së.
Kërkesa për heqjen e imunitetit të Veljanovskit vjen pasi prokuroria kërkoi paraburgim për të pas dyshimeve se Veljanovskin mund të ketë qenë organizator i ngjarjeve të 27 prillit. (Meral Ismaili, TVM2)
