Indi, 130 të vdekur nga alkooli toksik

24.02.2019 12:50

Të paktën 130 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 200 të tjerë kanë përfundur në spital....

Të paktën 130 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 200 të tjerë kanë përfundur në spital pasi konsumuan alkool toksik në Indinë veri-lindore.

Dhjetë persona janë arrestuar për pijet alkoolike të shitura kontrabandë. Mes viktimave kishte shumë gra dhe të gjithë punonin në plantacione çaji.  Numri i të vdekur besohet të jetë më i lartë që pas vitit 2011, ku në Bengalin Perëndimor vdiqën më shumë se 170 vetë pas konsumimit të alkoolit.

Viktima e parë vdiq të enjten, ndërsa sot u raportuan 35 të vdekur. Policia ka gjetur shtëpinë ku është prodhuar pija toksike. Mjekët që trajtuan viktimat shprehën habi nga përbërësit e përdorur për prodhimin e alkoolit ilegal, që shkaktoi prishjen e organeve të trupat e njerëzve.

Një ekip ekspertësh do analizojë përmbajtjen e pijeve. Njerëzit u paraqitën në spital me të vjella, dhimbje ekstreme të gjoksit dhe vështirësi në frymëmarrje. 

Vdekjet nga alkooli i prodhuar në mënyrë të paligjshme janë të zakonshme në zonat rurale të Indisë. Pijeve alkoolike u shtohet metanol, që edhe nëse merrni sasi të vogla, mund të shkaktojë verbëri, dëmtime të mëlçisë dhe vdekje.