Banorët e Dobroshtit bllokuan rrugën Tetovë-Jazhincë

24.02.2019 18:07

Banorët e fshatit Dobrosht kanë protestuar duke bllokuar rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë....

Banorët e fshatit Dobrosht kanë protestuar duke bllokuar rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë për gati 15 minuta, duke kërkuar nga institucionet që menjëherë të marrin masa. Kërkesat e protestuesve janë  të vendosin pengesa rrugore dhe policia e komunikacionit të jetë më shumë prezente në këtë pjesë të rrugës.

Sipas banorëve vetëm në 25 vitet e fundit nga fshati Dobrosht ka 17 viktima si pasoje e aksidenteve.

Kërkesa jonë sot është  që  këto 25 vitet e fundit mund në këtë aks rrugorë ka afërisht 17 viktima shkaku i aksidenteve.  Të mos numërojmë aksidentet të cilat kanë qenë me lëndime të lehta, ato janë të pa numërta. Organet kompetente të marrin masa për parandalimin e këtyre aksidenteve të cilat ndodhin këtu, veçanërisht në këtë rrugë regjionale Tetovë-Jazhincë’ – tha një banor i anketuar nga TVM2.

“Ka aksidentet sidomos dekadat e fundit janë shpeshtuar, kjo rrugë është regjionale që lidhë dy shtetet dhe është më shumë e frekuentuar. Kemi probleme të shumta sidomos ne si Dobrosht. Duhet këtu patjetër të ketë pengesa ose polic të shtrirë që të jetë pengesë për vozitësit të ndalojnë shpejtësinë” – tha një banorë tjetër.

Edhe kryetari i komunës së Tearces përkrahte protestat dhe kërkoi nga SPB-Tetovë, që të jenë më shumë në terren, dhe sipas tij mungojnë sinjalizime në këtë rrugë dhe për këtë shkak ai tha se përkrahë kërkesat e protestuesve.

“Të gjithë qytetarët në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë gjatë lëvizjeve janë të rrezikuar për shkak të trafikut të tepërt dhe të ngarkuar. Ne si komunë kërkesën e gjithë qytetarëve e përkrahim, është e arsyeshme. Vërehet se mungon sinjalizimi në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë, organet e rendit, gjegjësisht stacioni policor Tearcë dhe Tetovë të jenë më të angazhuar në këtë kontekst” – tha Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.

Nga SPB-Tetovë, janë shprehur se i kanë shtuar kontrollet në këtë pjesë të rrugës. Kjo protestë e banorëve erdhi si pasojë që një javë më parë në këtë aks rrugor  mbeti i vdekur një bashkëfshatar i tyre 50 vjeçar. Protestuesit u shprehën se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre ata do vazhdojnë me protesta. (Visar Sadiki, TVM2)